Alibeaj nuk përmbush kërkesën e KQZ, por kërkon të regjistrohet për zgjedhje

Grupimi i Enkelejd Alibeajt në PD nuk ka arritur ta përmbushë kërkesën e KQZ-së për të plotësuar dokumentacionin ligjor që kërkohet për regjistrimin e partisë si subjekt zgjedhor për zgjedhjet vendore të 14 Majit, domethënë një deklaratë përgjegjësie personale që nevojitet e shkruar nga Lulzim Basha, por i ka kërkuar KQZ-së ta regjistrojë PD-në si subjekt zgjedhor më 14 Maj dhe të mos kërkojë dokumente plotësuese.

Ky grupim e ka njoftuar më 10 mars KQZ-në nëpërmjet një shkrese zyrtare të firmosur nga përfaqësuesi ligjor Indrit Sefa se “z.Lulzim Basha nuk ndodhet faktikisht në detyrë për shkak të heqjes dorë nga detyra në mënyrë publike, fakt i njohur botërisht që nuk ka nevojë të provohet”, ndaj KQZ duhet të vijojë procedurën ligjore për regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e 14 majit.

Kujtojmë se KQZ, dy ditë më parë, mori vendim “për kthimin për plotësim dokumentacioni të kërkesës së partisë “Partia Demokratike”, me kryetar z. Lulzim Basha, të depozituar në KQZ nga përfaqësuesi i partisë, z. Indrit Sefa” dhe i la 48 orë kohë. Komisioneri Ilirjan Celibashi sqaroi se “të drejtën për të kërkuar regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 14 majit 2023, e ka z.Lulzim Basha”, pasi ai figuronte në dokumente në gjykatë, sipas tij.

Read Previous

Aksidentoi për vdekje këmbësorin, arrestohet shoferi në Korçë

Read Next

“Jam këtu t’u dëgjoj”/ Këlliçi pranë banorëve të 5-majit të cilëve u shembën banesat