Hartëzimi i burimeve natyrore të pashfrytëzuara të Afganistanit 

Besohet se nëntoka e Afganistanit mbartë në gjirin e saj resurse të mineraleve më shumë se 1 trillion dollarë, por përballet me shumë sfida për të ardhur deri te shfrytëzimi i tyre.  Sipas një raporti të publikuar nga Ministria Minierave dhe Naftës së Afganistanit, thellë në nëntokën e njërit prej vendeve më të varfra të botës gjendet një pasuri minerare e pashfrytëzuar, vlerësuar me më së paku 1 trilion dollarë [PDF]. Vendi i Azisë Jugore me një popullsi prej 38 milionë banorësh vlerësohet të ketë më shumë se 2.2 miliardë tonë xehe hekuri, 1.3 miliardë ton mermer dhe 1.4 milionë tonë minerale të rralla të tokës.

Sipas Scott Montgomery, një gjeolog që është marrë me studimin e shtrirjes burimeve nëntokësore të Afganistanit, vendit i duhet minimalisht shtatë deri në dhjetë vjet për të zhvilluar miniera, në shkallë të gjerë, për ta kthyer atë në një burim kryesor të të ardhurave të vendit.  Mungesa e legjislacionit dhe siguria e dobët si dhe niveli i lartë i  korrupsionit kanë bërë që zhvillimi i sektorit të minierave të mbetet në vend. 

 Çfarë fshihet realisht nën tokë? 

Gjatë viteve 1960 dhe 1970 BRSS dhe aleatët e saj në Evropën Lindore kryen studime të gjera të burimeve gjeologjike të vendit. Megjithatë, pas dekadash lufte nxorën në pah se shumica e burimeve nëntokësore mbetën akoma të varrosura. 

Në vitin 2010, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) së bashku me Shërbimin Gjeologjik të Afganistanit (AGS) ndërmorën një studim  gjeologjik më të plotë në të 34 provincat e Afganistanit, duke identifikuar 24 zona specifike me interes (AOI).  Zonat me interes në hartën më poshtë janë të kodifikuar me ngjyra të ndryshme. Ato përbëhen nga: rezervat e  metaleve të vlefshme(gjelbër), rezervat e materialeve të ndërtimit(të verdha), rezervat e mineraleve industriale (vjollce) dhe zonat me naftë dhe gaz(e kuqe).  

  

Metalet me vlerë 

Hekuri përbën sasinë më të madhe ndër metalet e vlefshme të Afganistanit. Rezerva totale e metalit të hekurit vlerësohet të jetë 2.2 miliardë tonë metrikë, duke e vendosur Afganistanin ndër 10 vendet e para për hekur të mundshëm për t`u nxjerrë. Miniera Hajigak e cila ndodhet në krahinën malore Bamyan, 130 km (80 milje) në perëndim të Kabulit, posedon sasinë më të madhe të xeherorit të hekurit në rajon me 1.7 miliardë ton xeheror të cilësisë së lartë me një përqëndrim afërsisht 63-69 përqind hekur.  

Për ta detajuar dhe qenë pak më të qartë, 2.2 miliardë ton mineral hekuri mund të përdoren për të ndërtuar të paktën 200,000 kopje të Kullës Eifel të Parisit – monumenti ikonik i cili është në 324m (1,063 këmbë) dhe është ndërtuar duke u përdorur 7,300 ton hekur në 1889. Gjithashtu vlerësohet se vendi posedon 183 milion ton depozita alumini, kryesisht të të ndodhura në provincat Badakhshan dhe Kandahar. Metali i lehtë, menjëherë pas hekurit, është metali i dytë më i përdorur në rang botëror.  Afganistani gjithashtu posedon 2,698 kg depozita ari përgjatë dy brezave kryesorë të arit: Badakhshan në jugperëndim në Takhar dhe Ghazni në jugperëndim të Zabulit. Me këtë sasi ari mund të priten së paku 300,000 monedha ari Paund, me 8 gr. secila. 

Materiale ndërtimi 

Afganistani renditet në vend të tetë, në rang, botëror si vend malor duke e bërë kështu shumë të vështirë qasjen në shumë prej zonave të vendit. Himalajet Hindu Kush shtrihen në një zonë të mbyllur, në verilindje të vendit dhe përmbajnë minerale dhe gurë të ndryshëm, përfshirë mermer, gur gëlqeror dhe ranor, të cilat përdoren gjerësisht në ndërtim. 

Mermeri është një shkëmb i gjithanshëm që përdoret zakonisht në arkitekturë dhe skulpturë. Vendi posedon një sasi mbresëlënesë prej 1.3 miliardë tonësh të gurit të bukur, i cili është mjaftueshëm për të ndërtuar 13,000 Monumente të Uashingtonit – me një lartësi prej 169m (555 ft) të lartë dhe 17m (55 feet) të gjerë. Provinca Nangarhar, e cila kufizohet me Pakistanin, është e njohur për mermerin e saj prej Rozë Oniks, i cili është ndër më të kërkuarit në rajon. Gurët gëlqerorë dhe ranorë janë lloje të zakonshme të shkëmbinjve sedimentarë të përdorur gjerësisht në ndërtim. Guri gëlqeror është një përbërës thelbësor i çimentos dhe një përbërës element kryesor në produktet shtëpiake si pasta e dhëmbëve dhe bojërat. Vlerësohet se, Afganistani posedon së paku 500 milionë ton gurë gëlqerorë që gjendet kryesisht në provincat e Badakhshan, Herat dhe Baghlan. 

 

 Minerale industriale 

Afganistani njihet historikisht si një nga burimet kryesore në botë të Lapis Lazuli, Smeraldi dhe Rubini. Shumica e këtyre gurëve të çmuar gjenden në verilindje të vendit. 

Afganistani posedon rreth 1.4 milion ton të mineraleve të rralla të tokës, përfshirë Litiumin (të përdorur në bateri), Uranium (i përdorur për karburant bërthamor) dhe shumë të tjerë. Një nga depozitat më të mëdha të mineraleve të rralla të tokës mund të gjendet në Khanneshin në provincën Helmand. 

Eksportet dhe partnerët tregtarë 

Sipas The Observatory of Economic Complexity (OEC), në vitin 2019 shifrat totale të eksportit të Afganistanit arritën në 2.24 miliardë dollarë. 

Tre kategoritë kryesore ishin: 

  1. Metale dhe gurë të çmuar dhe bizhuteri: 45 përqind (1 miliard dollarë) 
  1. Frutat dhe arrorë, lëvozhgat e agrumeve: 24 përqind (538 milionë dollarë) 
  1. Perime, rrënjë dhe zhardhokë të caktuar: 8 përqind (177 milion dollarë) 

Në vitin 2019, Afganistani eksportoi më shumë se 90 përqind të produkteve të tij në vetëm tre vende – 45% në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasuar nga Pakistani fqinj me 24 % dhe 22 % në Indi.  Që kur Talebanët morën kontrollin e vendit në 15 gusht 2021, shtetet perëndimore kanë kufizuar së tepërmi ndihmat financiare për vendin. Më 2 shtator, Talebanët thanë se grupi do të mbështetej kryesisht në financimet nga Kina, e cila tashmë ka një numër të konsiderueshëm të minierave me qira afatgjata në të gjithë vendin. 

 

/Kumtari.al/Aljazeera/

Read Previous

Jens Stoltenberg reagon për situatën në kurfirin Kosovë – Serbi

Read Next

🔴Situata epidemiologjike e #COVID19 në Shqipëri