27 dhjetor 1899, lindi liriku i madh i dashurisë, Lasgush Poradeci

Lasgush Poradeci lindi më 27 dhjetor 1899 në Pogradec, në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.

Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë.

Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane.Në dallim nga poetët e Rilindjes, që megjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet.

Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen ne periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij romantiku të fundit të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.

Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937, u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”. Pas Luftës së Dytë Botërore Lasgush Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç të tjerash, poemat “Eskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit; Shellit, Bërnsit, të Emineskut etj.

Më 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemran e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturë sonë si Eqerem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare, Rexhep Ismajli etj. Si një personalitet i shquar dhe poet i vërtetë ai nuk ua nënshtroi kurrë artin e tij kërkesave dhe synimeve të diktaturës. Për këtë arsye ai u la në një gjendje ekonomike të rëndë dhe pothuaj në harresë nga shtypi zyrtar.

Vetëm në vitin 1989 mundi të botohet vepra e tij e plotë.

Ku shtrohet vala përmbi sall

Ku shtrohet vala përmbi zall
E fryn një këng´ e pakuptuar,
Të pashë, motër, plot me mall,
Më pe më shpirt të llaftaruar.

Q´ahere silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë…
Dh´i shtinja sytë gjith përdhe –
Gjithë përdhe m´i shtinje sytë…

Po me t´u ndarë vet e vet,
Më s´kishim turp që s´kishte fjalë…
Na rritej malli posi det,
Posi një det që vjen me valë:

E prapë silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;
E prapë sytë gjith përdhe,
Gjithë përdhe pikonin sytë.

Q´ahere qamë plot me mall
Atë vështrimin e kaluar,
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng´ e pakuptuar.

Se kish kuptim, që s´kish kuptim,
Kuptim´ i fellë – i mallit t´onë;
Se malli jon´ ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë;

Se s´dashuronja – as un´ as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri – një fshehtësi,
M´e fshehur sesa fshehtësija. ©kumtari.al

 

Read Previous

Zhdukja e 49-vjeçarit në ujërat e Drinit, zhytësit në operacionin e kërkimeve

Read Next

Vrasja në Peqin, dyshohet hakmarrje