Zbulohet debati i Gledis Nanos me Çuçin dhe telefonata pa përgjigje e Kim

Më 31 gusht 2022, ndërsa fliste me mediat në shkallët e kryeministrisë, pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi konfirmoi atë që ishte përfolur: shkarkimin e Gledis Nanos. Motivi: mospërmbushja e objektivave të vendosura.

“Lidhet me mospërmbushjen e objektivave në lidhje me drejtorin e përgjithshëm të policisë, me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të policisë së shtetit…”, deklaroi atë ditë Çuçi.

Por përpara këtij momenti, kishte patur zhvillime të tjera dhe debate të ashpra. Një i tillë është zbardhur nga tpz.al, pak ditë përpara se të shkarkohej zyrtarisht Nano dhe ai u zhvillua në zyrën e ministrit të Brendshëm.

Ministri Çuçi e kishte thirrur në zyrë drejtorin e policisë për t’i komunikuar largimin nga detyra, mes të tjerave edhe për korrupsionin e lartë në radhët e policisë.

-Policia e Shtetit është e korruptuar, ndaj nuk ka sukses-i është drejtuar ministri drejtorit të policisë.

Nano replikoi:

-Policinë e gjeta të korruptuar, nuk u bë gjatë kohës që isha unë në drejtim të saj.

Ministri i Brendshëm më pas e ka fajësuar drejtorin e policisë se ka bërë komunikime me selitë e huaja diplomatike në Tiranë, në vend që të fliste me të.

-Dhe s’ka pas nevojë të bëje bëz-bëz me ambasadat-i është drejtuar ministri vartësit.

Pas këtij debati, gjithçka ka qenë e mbyllur për fatin e drejtorit të policisë që u shkarkua zyrtarisht më 31 gusht 2022, duke u bërë zyrtari më jetëshkurtër deri më tani në krye të policisë, pasi ishte emëruar më 6 tetor 2021.

Ambasadorja Yuri Kim mësohet se ka tentuar të ndërhyjë drejtpërdrejt te kryeministri Rama, por, siç thuhet, ai nuk i është përgjigjur një telefonate që diplomatja e lartë ka tentuar me shefin e qeverisë shqiptare, i cili ka në kompetencën e tij emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Dhe për të treguar se nuk ishte dakort me vendimin dhe për të shprehur mbështetjen e vlerësimin për policin e trajnuar nga SHBA, zonja Kim postoi edhe një falenderim për të në twitter, për bashkëpunimin e gjatë.

Read Previous

Moti i keq/ Dëmtohet linja e energjisë elektrike në Fierzë, OSHEE: Po riparojmë avarinë

Read Next

Sulmet kibernetike, Rama: Irani kishte qëllim të linte pas tokë të djegur