Partia Demokratike me anë të zëdhënëses, Floriana Garo ka zbardhur vendimet që janë marrë gjatë mbledhjes së kryesisë dhe që do t’i propozohen Këshillit Kombëtar për miratim.
Deklarata e plotë e zëdhënëses së PD-së, Floriana Garo:
Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë u mblodh këtë pasdite dhe vendosi ngritjen e grupit të auditimit dhe verifikimit të përdorimit të fondeve të Partisë Demokratike të Shqipërisë për aktivitete lobimi në fushatën zgjedhore të vitit 2017.
Në mbledhjen e datës 26 Shtator 2022, kryesia e Partisë Demokratike me qëllim auditimin e përdorimit të të fondeve të Partisë Demokratike për çështjen Nik Muzin vendosi ngritjen e grupit të auditimit me përbërjen si më poshtë:
Ledina Mandia-kryetare
Florion Mima-Anëtar
Edmond Spaho-Anëtar
Enno Bozdo-Anëtar
Aldo Bumçi-Anëtar
Objekti i veprimtarisë së grupit të auditit është kontrolli,verifikimi, dhe bërja e transparencës së plotë lidhur me përdorimin ose jo të fondeve të Partisë Demokratike të Shqipërisë, me çfarëdolloj prejardhje, në aktivitete lobimi në periudhën përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve për kuvendin e datës 25.06.2017.
Grupi i auditit duhet të verifikojë në mënyrë të veçantë dhe të japë përgjigje të plotë lidhur me akuzat e bëra publike në media mbi përdorimin e fondeve me prejardhje të dyshimtë ose dhe të paligjshme për aktivitete lobimi në favor ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulëzim Basha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu në mbledhjen e sotme kryesia miratoi rregulloren mbi modalitetet e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet e pushtetit vendor.
Në rend dite ishte dhe u miratua gjithashtu Kodi i Sjelljes së Mirë, Etikës dhe Integritetit ku përshkruhen vlerat dhe besimet themelore ku mbështetet dhe i promovon çdo anëtar i Partisë Demokratike.
Së fundmi, u miratua rregullorja e funksionimeve të organeve drejtuese të Partisë Demokratike të Shqipërisë si dhe rregullorja e brendshme e degëve të partisë.
Kryesia vendosi që t’ia paraqesë rregulloret e mësipërme për miratim Këshillit Kombëtar në mbledhjen e sotme të orës 17:00 ku gjithashtu do të diskutohet aksioni opozitar.