Yuri Kim futet në luftën mes dy PD-ve duke goditur Berishën: “Ne njohim Bashën”

Ambasadorja amerikane Yuri Kim nuk ka humbur edhe një rast më shumë për të ndërhyrë në garën politike brenda një partie shqiptare. Ajo ka dhënë sot me urgjencë një intervistë të gjatë në Top Channel, për të goditur Sali Berishën dhe për të mbrojtur Lulzim Bashën. Në kalkulimin e kohës për të ndërhyrë në këtë garë, asgjë nuk është e pafajshme. Znj. Kim e zgjodhi pikërisht momentin për të folur në ditën kur Sali Berisha konfirmoi që është shumicë brenda PD-së duke depozituar 4200 nënshkrime për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të demokratëve. Berisha u përkrah hapur gjithashtu edhe nga ish shefi i shërbimeve sekrete amerikane Richard Grenell, i cili hodhi poshtë pretendimet se dosja për liderin historik të demokratëve kishte kohë që përgatitej. Ai tha se deri në momentin që ai ka punuar në administratë nuk kishte parë fakte komprometuese për Berishën dhe se ai po goditej si pasojë e lidhjeve lobuese të George Sorosit.

Pikërisht këto dy lajme të forta e bënë Yuri Kim të reagonte me urgjencë. Nëse gazetarja e kronikës kishte kohë që i kishte kërkuar asaj një intervistë, ambasadorja është përgjigjur pozitivisht vetëm sot duke u pozicionuar qartazi për të folur në këtë moment.

Përpos një përgjigjeje të dy lajmeve të prodhuara në orët e fundit ambasadorja amerikane duket se ka mësuar edhe nga truket shqiptare të propagandës. Duke e ditur peshën e shproporciunuar që një diplomat amerikan merr në mediat e vendit ajo është shfaqur me urgjencë për të sfumuar me sa mundet dy lëvizjet që i shkonin për shtat Berishës.

Dhe me këtë ndërhyrje brutale jo më brenda punëve të një shteti, por brenda garës në një parti politike ajo dha tre mesazhe: 1)Ne njohim për kryetar Lulzim Bashën. 2) Nuk do kemi marrëdhënie me PD-në nëse fiton Berisha. 3) Grenelli nuk ka të drejtë se dosja e Berishës është e mbushur me fakte./lapsi.al/

Read Previous

Filozofimi i humbësit

Read Next

Ina, Ina…