Xhixho: Shqipëria braktiset nga të rinjtë

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaroi sot se Dita e Rinisë i gjen të rinjtë shqiptarë pa përkrahje dhe pa shpresë. Sipas saj, fenomeni i emigracionit ka marrë përmasa alarmante dhe të rinjtë janë të parët që ikin. Ajo shton se 8% e azilkërkuesve i përkasin moshës nën 34 vjeç.

Xhixho deklaroi më tej se të vetmet ligje që qeveria Rama nxiton të sjellë në Parlament janë ato që pastrojnë paranë e krimit dhe korrupsionit.

“Përmasat e kësaj drame dalin në shifrat e Eurostatit. Pjesa dërrmuese e aplikimeve për azil në vendet e BE janë të rinj. 78% e azilkërkuesve i përkasin moshës nën 34 vjeç.

79% e studentëve shqiptarë dhe 59% e maturantëve dëshirojnë të largohen nga vendi. Nga ana tjetër, 95% e atyre që studiojnë jashtë nuk dëshirojnë të kthehen. Ikin sepse janë zhgënjyer, ikin sepse nuk kanë shpresë. Rritja e dëshirës për emigrim zbulon dobësitë strukturore të ekonomisë dhe politikave, në veçanti atyre që lidhen direkt me të rinjtë.

Nuk harton dot politika efektive për punësimin e te rinjve, nuk u garanton arsim cilësor dhe as mbështetje ekonomike. Sepse kjo qeveri ka prioritete të tjera. Skema mafioze e inceneratorëve, koncesionet dhe tenderat pa garë janë mjeti i saj për të çuar para në xhepat e vet e të klientëve të vet, ndërsa shqiptarët nuk përballojnë dot muajin.

Me mijëra të rinj i drejtohen vendeve të Europës dhe Britanisë çdo vit. Mijëra të tjerë ëndërrojnë ta bëjnë.

Partia e Lirisë e ka parë arsimin dhe mbështetjen e të rinjve si mjetin më efektiv për të luftuar shpopullimin.

Katër amendamente për projekt-buxhetin e vitit 2023, përmes të cilave kërkuam mbështetje për nxënësit, pedagogët, mësuesit dhe studentët u hodhën poshtë nga maxhoranca me forcën e kartonit.

I kërkuam kësaj qeverie të rrisë pagat e pedagogëve në nivele të krahasueshme me Kosovën, të mbështesë studentët me 100 euro në muaj, të rrisë pagat e mësuesve dhe të garantojë realisht tekste te rinj falas për nxënësit.

Asnjë prej këtyre propozimeve nuk u mbështet, sepse maxhoranca qeverisëse ka halle të tjera.

Më 8 dhjetor 1990 studentët dhe pedagogët e Universiteteve të Tiranës, u bënë nismëtarë e protagonistë të kthesës së madhe historike të Shqipërisë dhe shembjes diktaturës komuniste.

Ndaj sot duhet të bëjmë çdo sakrificë që kjo tragjedi të ndalet dhe të rinjtë të ndërtojnë jetën e tyre nē atdheun e tyre. Duhet të bëjmë gjithçka që kjo qeveri që u ka vrarë shpresën të rinjve të largohet. Duhet të ndërmarrim çdo aksion që ky kryeministër armik i të rinjve të largohet një orë e më parë.

Thirrja mitike “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” edhe sot pas 32 vitesh buçet e na ngarkon me përgjegjësi shumë më të mëdha të gjithëve ne”, deklaroi Xhixho.

Read Previous

IKMT aksion në Vlorë, do të shembet ndërtesa katër katëshe

Read Next

8 dhjetori si amanet për pluralizmin dhe demokracinë si gjithë Europa!