Transformimi i shesheve publike në Durrës lë të pakënaqur qytetarët

default

Nga Gezim Kabashi

Surja Veshi prej gati 10 vitesh nuk del më në qendër të qytetit të Durrësit.

“Kur dola në pension çdo ditë takohesha me shokë e miq nën hijet e pemëve të lulishtes përballë prefekturës”, thotë Surjai, i cili ka shumë vërejtje për rikonstruksionin e sheshit “Liria”, në qendër të qytetit.

“Në verë nuk dal në shesh se të mbyt vapa, kurse në dimër më trembin pllakat ku mund të pengohesh dhe të thyesh qafën”, shton me mllef 77-vjeçari.

Pensionisti durrsak nuk është i vetmi që shprehet negativisht për projektin e zbatuar në sheshin qendror të qytetit, më i madhi nga përmasat në të gjithë territorin e tij.

Dëmtimet që iu bënë objekteve arkeologjike gjatë punimeve fillestare tek sheshi në ndërtim “Veliera”, betonizimi i tepërt, projekti i panevojshëm dhe dëmtimi i imazhit pranë hyrjes historike të portit më të madh të vendit janë disa nga vërejtjet madhore për objektin e pambaruar, që ka zënë vend shumë pranë shëtitores bregdetare.

Qytetarët shprehen se sheshi “Liria” dhe ai pranë godinave të drejtorisë së portit detar ishin dy nga hapësirat tradicionale publike në shërbim të banorëve dhe që lidheshin me hijeshi nga Rruga Tregtare.

“Ato janë krijuar në vitet 1930, atëherë kur në Durrës lulëzoi tregtia me vendet fqinje – rikthehet në bisedë Surjai, i cili nuk e pranon edhe tani shkatërrimin e lulishteve të dikurshme apo largimin pa adresë të shatërvanit që ndodhej përballë bashkisë.

Edhe sheshet e tjerë në qytet nuk kanë patur fat më të mirë. Ndërhyrjet e projekteve të realizuara me paratë e taksapaguesve durrsakë i kanë lënë të pakënaqur qytetarët.

Sipas qytetarëve krijimi i një stacioni autobuzësh në të njëjtin vend me hapësirën hyrëse të stacionit hekurudhor krijoi më shumë konfuzion në trafikun e mjeteve interurbane.

“Këtu mbërrijnë dhe nisen çdo ditë autobuzët dhe fugonët e linjave të jugut dhe të veriut, madje edhe autobuzët që mbërrijnë me traget nga Bari apo Ankona (Itali), tha për Median Amfora, Lumir Bekteshi, shofer i njërit prej mjeteve që udhëton dy herë në ditë drejt Beratit.

Sipas tij ky shesh mbetet një zgjidhje e përkohshme përballë rritjes së kërkesës së udhëtarëve për transportin ndërqytetas.

Ndërsa në hapësirën përballë stacionit, nivelet e ndryshme të volumeve të betonit dhe pllakave prej mermeri nuk mundën ta zëvëndësojnë sharmin e mozaikut me shatërvan, që ishte instaluar aty në vitet 1980.

Projekti i fundit që u realizua në fillim të viteve 2010 nuk e respektoi punën e arkitektëve dhe artistëve që kishin kontribuar për realizimin e një hapësire plot dritë dhe me lehtësi lëvizjeje.

Ndryshimeve shumëmilionëshe nuk i shpëtoi as lulishtja para pallateve në hyrje të Durrësit, në të njëjtën zonë të qytetit bregdetar.

Numri i pafund i kafeneve që u ngritën menjëherë pas përfundimit të punimeve rindërtuese i sfumoi shumë shpejt hapësirat publike, të cilat duhet tu shërbenin fëmijëve dhe të moshuarve.

“Menduam se do të shtohej gjelbërimi dhe sheshet për lodrat e fëmijëve, por nuk ndodhi kështu – dëshmon për Median Amfora, Fatime Shehu, një zonjë e moshuar, e cila kujdeset çdo ditë për dy mbesat e saj dhe që i duhet të paguajë për këndin e lodrave pranë njërit prej bar-kafeve pranë pallatit ku banon.

Shumë pranë qendrës, sheshi që krijonte lulishtja e dikurshme “1 Maj”, një nga vendet e preferuara të zbavitjes për qytetarët nuk mundi të legalizohej asnjëherë si i tillë.

Zbulimet e mrekullueshme arkeologjike të një lagjeje antike u betonuan duke i hapur rrugë një kompleksi pallatesh, një nga të shumtët e ndërtuar në qytet pas viteve 2000.

Edhe këtu çimento dhe zhavorri shërbyen për të mbuluar një nga kapitujt e rëndësishëm të jetës së qytetit antik. /amorfa.al

Read Previous

Presidenti Meta njofton në rrjetin social ‘META’ vlerësimin për Eranda Libohovën

Read Next

Italianët nuk pranojnë vaksinim me detyrim, protesta masive

Leave a Reply

Your email address will not be published.