Teatri Aspendos

Teatri në Aspendos konsiderohet si teatri më i ruajtur i antikitetit. Ndërtuesit romakë të kësaj strukture arritën të shprehin gjendjen e ekuilibrit ideal midis auditorit dhe godinës së skenës dhe, për më tepër, i gjithë teatri përputhet në mënyrë të përkryer me peizazhin.

Sipas një legjende, ndërtimi i këtij teatri ka ardhur nga një konkurs i organizuar nga sundimtari i Aspendos. Qëllimi i këtij konkursi ishte ndërtimi i një strukture që do të kontribuonte më së shumti në prosperitetin e qytetit dhe fituesit si shpërblim do t’i dhurohej vajza e sundimtarit. Dy garues u kualifikuan në raundin final. I pari prej tyre ndërtoi sistemin e kanaleve dhe ujësjellësve që furnizonin Aspendos me ujë të rrjedhshëm. Sundimtari ishte pothuajse i bindur t’i jepte dorën e së bijës, por vendosi të vizitonte për herë të fundit teatrin e ndërtuar nga konkurrenti i dytë. Kur ai qëndroi në pikën më të lartë të teatrit, papritmas një zë i qartë i pëshpëriti drejtpërdrejt në vesh: ‘Vajza jote duhet të jetë e imja!’ Kur shikoi përreth i habitur, pa në skenë ndërtuesin e teatrit. Akustika e teatrit i bëri përshtypje sundimtarit aq shumë sa ai vendosi menjëherë në favor të ndërtuesit të tij. Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, natyrisht dasma u zhvillua po në teatrin e ndërtuar nga vetë dhëndri tashmë.

Teatri u ndërtua në të vërtetë në shekullin II pas Krishtit, gjatë sundimit të perandorit romak Marcus Aurelius (161-180 pas Krishtit), në bazë të projektit të krijuar nga Zeno – një arkitekt grek i lindur në Aspendos. Mbishkrimet greke dhe latine të vendosura mbi hyrjet e ndërtesës për në skenë thonë se dy vëllezër – Curtius Crispinus dhe Curtius Auspicatus – ia kushtuan këtë teatër “zotave të këtij vendi dhe shtëpisë perandorake”.

Pavarësisht se teatri u ndërtua në periudhën romake, ndërtesa shfaq shumë tipare tipike të teatrove greke. Auditori mbështetet pjesërisht përballë një kodër. Për më tepër, auditori në formën e një patkoi është gjithashtu një tipar i arkitekturës greke të teatrove. Nga ana tjetër, sipas standardeve romake, teatri është i shkëputur me botën e jashtme nga godina e skenës. Gjithashtu nënstruktura me qemer është një ide tipike romake.

Auditoriumi i teatrit ka një diametër prej 96 metra dhe është i ndarë nga një korridor horizontal (diazoma) në një pjesë të sipërme dhe një të poshtme. Auditori mund të strehonte deri në 7 mijë spektatorë. Një arkadë mbi auditorin e mbështetur nga një kolonadë kur hapej një tendë prej liri (d.m.th. velarium) përdorej për të siguruar hijen për spektatorët. Akoma dhe sot janë lehtësisht të dukshme 58 vrimat që janë përdorur për montimin e direkut.

Skena përbëhet nga një fasadë dhe një proscenium ku luheshin shfaqjet. Faqja ballore (Scaenae frons) kishte pesë porta nga ku bëhej hyrja në skenë. Porta më e madhe në mes quhej Porta Regia (Hyrja Perandorake, perdorej për kasteën perandorake dhe aktorët kryesorë) dhe katër më të vogla – Hyrje për Miqtë (Portae Hospitales, hyrje për aktorët dytësorë). Pjesa e dërtesës mbi skene dikur mbulohej nga një çati prej druri 8 metra e gjerë.

Skena zbukurohej nga brenda me një fasadë dyshtresëshe që ruan ende lartësinë e saj origjinale. Nga jashtë godina e skenës ka 17 dritare dhe vizualisht është e ndarë në dy nivele. Një mbështetëse dhe një portal që i ngjan një kulle u ndërtuan në periudhën e Selçukëve, kur ndërtesa u përdor si vendbanim veror për Sulltanët.

Në vitet 30-ta të shekullit të 20-të Mustafa Kemal Atatürk vizitoi Aspendos. Pas inspektimit të teatrit, Presidenti i parë i Republikës së Turqisë deklaroi se, një strukturë kaq madhështore nuk duhet humbur dhe braktisur. Ai urdhëroi rikonstrukturimin e tij gjë që ngjalli shumë polemika midis historianëve dhe arkitektëve. Që atëherë teatri është përdorur si një vend për ngjarje të ndryshme kulturore, ndër to – Festivali Ndërkombëtar i Baletit dhe Operas (tr. Aspendos Uluslararası Opera ve Bale Festivali). Shfaqjet zakonisht zhvillohen në fund të pranverës dhe në fillim të verës dhe biletat rezervohen e shiten shumë muaj më parë.

kumtari.al

Read Previous

Saga juridike e Manastirit të Deçanit – pritjet e Kishës dhe qëndrimi i Qeverisë

Read Next

Ambasadori që përfaqëson Evropën, por nuk sillet në asnjë çast si evropian