Skandali i dokumenteve të klasifikuara/ Blinken punonte te qendra e Biden

Zgjerohet skandali i dokumenteve të klasifikuara në SHBA.

Sipas Fox News, të paktën 10 zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Joe Biden ishin të punësuar në qendrën ‘Penn Biden’, ku u zbuluan së fundmi disa dokumente të klasifikuara.

Mes personave të punësuar në këtë think-tank ishin edhe Sekretari aktual i Shtetit, Antony Blinken, Ndihmëssekretari i Mbrojtjes, Colin Kahl dhe këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Steven Richetti.

Mësohet se instituti i Biden i ka paguar Blinken rreth 79 mijë dollarë për vetëm gjashtë muajt e parë të vitit 2019.

Që kur kjo qendër hapi dyert, ajo ka pranuar miliona dollarënë donacione nga Kina. Në vitin 2020 u depozitua një padi, ku thuhej se kjo qendër ka marrë 22 milionë dollarë donacione nga Kina.

Vetë presidenti Joe Biden u shpreh i habitur në lidhje me zbulimin e dokumenteve të klasifikuara në qendrën ‘Penn Biden’. Ai tha se nuk e dinte se çfarë kishte në këto dokumente.

CNN nga ana tjetër ka paralajmëruar se Republikanët mund të ngrenë një komision hetimor për këtë skandal.

Instituti ‘Penn Biden’ është i lidhur me Universitetin e Pensilvanisë dhe është hapur në Uashington në shkurt të vitit 2018.

Ky lajm vjen pasi Biden më herët e kishte kritikuar ish-presidentin Donald Trump kur FBI gjeti dokumente të klasifikuara në banesën e tij në Florida. “Si mund të ndodhte kjo? Si mund të jetë dikush kaq i papërgjegjshëm,” pati deklaruar Biden.

Trump reagoi ndaj lajmit për zbulimin e dokumenteve të Biden, duke pyetur nëse presidenti do të hetohet nga FBI. “Kur do të bastisë FBI shtëpitë e shumta të Biden, ndoshta edhe Shtëpinë e Bardhë? Këto dokumente nuk ishin të deklasifikuara”, tha Trump.

Read Previous

Sekreti që e bën betonin romak më jetëgjatë se ai modern

Read Next

Kiko kërkon të punësohet si pastrues