PD: Rama u tall me gjenocidin ndaj boshnjakëve, kroatëve, malazezëve e shqiptarëve të Kosovës

Partia Demokratike përmes Drejtoreshës së Komunikimit, Floriana Garo ka akuzuar Edi Ramën se me deklaratat e tij në ‘Ballkanin e Hapur’, ka tallur gjenocidin e serbëve të bërë ndaj boshnjakëve, kroatëve, malazezëve dhe vëllezërve tanë nga Kosova.

Deklarata e PD, Floriana Garo:

Partia Demokratike dënon me termat më të ashpër deklaratat e Kryeministrit Edi Rama të realizuara gjatë konferencës të zhvilluar sot në Ohër si pjesë e nismës së “Ballkanit të Hapur”.

Duke mos njohur dhe banalizuar me tallje e nënqeshje, gjenocidin dhe masakrat ndaj qindra e mijëra boshnjakëve, kroatëve, malazezëve e vëllezërve tanë në Kosovë, viktima të spastrimit etnik serb, Edi Rama dëshmon një mungesë respekti jashtë çdo imagjinate ndaj të shkuarës tragjike të Ballkanit.

Mohimi i gjenocidit dënohet me ligj ndërkombëtar.

Edi Rama, me këto deklarata imorale i bashkohet dyshes Vuçiç-Dodik dhe bëhet pjesë me dashje, të asaj çka është një tentative rishkruarje të historisë me qëllimin e vetëm për të lehtësuar pozicionin e Serbisë në kontekstin e projektit serbo-rus të Ballkanit të Hapur.

 Refuzimi i dyfishtë i Edi Ramës për të votuar në Parlamentin Shqiptar dy rezoluta që dënojnë gjenocidin në Bosnje dhe atë në Kosovë, është prova e dy-fishtë se Edi Rama po i shërben në mënyrë të verbër një projekti serbo-rus, anti-shqiptar.

 Deklarata e Ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov sipas së cilës, “Ballkani i Hapur” është një projekt që gëzon mbështetjen e plotë të Rusisë, duhet të jetë një këmbanë alarmi për çdo shqiptar dhe Ballkanas mbi rreziqet dhe agjendën e vërtetë të kësaj nisme. I njëjti rrezik vjen dhe nga pjesëmarrja e pajustifikuar dhe rolin e errët në këtë Samit të djalit të George Soros. Askush nuk e di se me cilin status eshte prezent në të njëjtën tavolinë me kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë.

Partia Demokratike e Shqipërisë refuzon në mënyrë kategorike çdo projekt që kërkon të zëvendësojë Nismën e Berlinit dhe integrimin Europian me projekte që rivendosin hegjemoninë ruso-serbe në Ballkan.

Partia Demokratike e Shqipërisë rikujton gjithashtu se pavarësia e Kosovës dhe fuqizimi i saj si shteti i pavarur vjen mbi çdo agjendë bashkëpunimi rajonal. Çdo vendim-marrje e Edi Ramës që cenon Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe NATO-s, është një vendimmarrje anti-shqiptare.

Në këtë drejtim, vijimi normal i procesit të Berlinit dhe të integrimit Europian për çdo vend të Ballkanit konsiderohet si e vetmja rrugë drejt një të ardhme të paqtë në Ballkan.

Read Previous

Rritja e çmimit të naftës/ Vasili: Shqipëria ka një qeveri grabitqarësh

Read Next

Kursi i Euros prek minimum të ri historik, bie në 119.9 Lekë