Njihuni me Bernard Arnault, njeriun më të pasur në planet

Biznesmeni francez Bernard Arnault është shpallur si personi më i pasur në botë, të paktën sipas Indeksit të Miliarderëve, një publikim ky i përpiluar nga angjencia ndërkombëtare e lajmeve, Bloomberg. Kështu ai ka ulur në vendin e dytë CEO-n e TSLA Elon Musk, i cili në vitin 2021 arriti të rrezojë nga froni themeluesin e Amazon, Jeff Bezos.

Arnault, i cili është drejtuesi dhe shef ekzekutiv i Louis Vuitton SE ose LVMH (LVMUY), ka parë më shumë se 7 miliardë dollarë humbje në vlerë neto në 2022 ndërsa stoku i LVMH është ulur afërsisht 6.58% gjatë së njëjtës periudhë kohore. Megjithatë, kjo nuk ka ndikuar aspak në renditjen e tij si njeriu më i pasur në planet, duke pasur parasysh se pasuria neto e Musk ka rënë me më shumë se 100 miliardë dollarë në vitin 2022.

Biznesmeni francez ka një pasuri prej 171 miliardë dollarësh, që është më shumë se 5% e ekonomisë së Francës, krahasuar me 164 miliardë dollarë të Musk.

Kush është Bernard Arnault?

Arnault,73-vjeç, ka lindur në qytetin francez të Roubaix. Ai iu bashkua biznesit të ndërtimit të familjes së tij në 1971 dhe u transferua në SHBA në 1981 kur socialistët erdhën në pushtet në Francë.

Në atë kohë, ai konsiderohej “një zhvillues pak i njohur i pasurive të paluajtshme që përpiqej të zgjeronte ndikimin e familjes së tij të nderuar franceze në New Rochelle”, sipas një artikulli të New York Times nga viti 1989. Arnault në 1984 bleu një kompani tekstile franceze pothuajse të falimentuar që zotëronte Christian Dior.

Më vonë ai shiti bizneset e tjera të kompanisë dhe i përdori paratë për të blerë aksione në LVMH, i cili në atë moment ishte një bashkim midis Louis Vuitton dhe prodhuesit të shampanjës dhe konjakut Moët Hennessy. Arnault më pas rrëzoi presidentin e Louis Vuitton dhe mori drejtimin e kompanisë.

Familja Aranault aktualisht zotëron rreth 47 për qind të aksioneve të LVMH, e cila zotëron mbi shtatëdhjetë nga markat dhe kompanitë më të famshme luksoze në botë, duke filluar nga Bulgari, Fendi, Celine, Marc Jacobs, Givenchy, Kenzo, Loro Piana, Louis Vuitton, Tiffany&Co, Sephora, Le Bon Marche dhe shumë të tjera.

Në veçanti, pasuria e Arnault rrjedh nga aksionet e Christian Dior, nga të cilat ai zotëron 97.5 për qind, ndërsa nga ana tjetër kontrollon rreth 41 për qind të grupit LVMH. Pjesa e mbetur prej 6 për qind, përbëhet nga aksionet e anëtarëve të tjerë të familjes.

Ashtu si të gjithë miliarderët e tjerë, Arnault, ka qenë shpesh subjekt i kritikave. Në vitin 2012, ai u përfshi në një skandal pasi kishte aplikuar për nënshtetësinë belge dhe sipas shumë zërave një gjë e tillë kishte ndodhur me arsyen për t’iu shmangur rritjeve të mëdha të taksave të cilat u prezantuan atëkohë nga presidenti Francois Hollande.

Ndryshe nga Elon Musk, Bernard Arnault është një person shumë privat që rrallë shfaqet në publik dhe mbi të gjitha nuk përdor asnjë rrjet social. Ai ka pesë fëmijë, nga dy martesa, dhe të gjithë fëmijët punojnë në kompanitë e tij. Ai është i njohur për përdorimin e një diete strikte, admirues i tenisit dhe artit. Ka qenë vetë personi që ideoi krijimin e Fondacionit Louis Vuitton, muzeut të artit dhe një qendre kulturore të hapur në Paris në vitin 2014, e cila menaxhohet nga LVMH.

Read Previous

PD, padi kundër KPK: Shkeljet flagrante që vërtetojnë kapjen e Reformës nga Edi Rama

Read Next

Daniel Serwer: Asociacioni, paralel me njohjen nga Serbia të Kosovës