Nga Lutfi Dervishi: Kursim, kudo, kurdo dhe mbi çdo gjë.

Satirë/ Nga Lutfi Dervishi

Për të vënë në jetë udhëzimet dhe këshillat e qeverisë për kursimin, më poshtë gjeni të detajuar udhëzimet për çdo ditë të javës si rezultat i një studimi të përpiktë ndërministror. Me këshillat e mëposhtme hedhim poshtë edhe përfundimet e studimit të BE-së se 75% e familjeve shqiptare nuk kanë se çfarë të kursejnë.

E HËNË
Hapja e frigoriferit 3 sekonda, nxjerrja e ushqimit për dy-tri ditë dhe sistemimi i produkteve të sapo blera. Ka mjaft njerëz që nuk janë të sigurt nëse llampa që ndizet kur hapet dera e frigoriferit, fiket pasi mbyllet dera dhe kështu tundohen ta hapin derën disa herë dhe gjithmonë pikasin që dritëza është e ndezur. Ju këshillojmë ta hiqni atë poç fare, dhe kur të hapni frigoriferin përdorni ndriçimin e celularit. (Sugjerohet që celulari të jetë i karikuar në ndonjë lokal)

E MARTË
E marta është ditë tersi, por ama punët e shtëpisë duhen bërë. Andaj, mblidhni rrobat e njollosura dhe enët e palara por mos veproni mbi to. Thjesht bëni gati lavatriçen dhe lavastoviljen për t’i ndezur ditën e mërkurë.

E MËRKURË
Vendosni lavatriçen në 30 gradë dhe lavastoviljen në 25. Rrobat dhe enët e lara mos nxitoni t’i nxirrni menjëherë. Këtë veprim bëjeni një ditë më pas. Nga qëndrimi 24 orë i rrobave në lavatriçe dhe enëve në lavastovilje, është baraz me tre deri në katër pika shiu mbi liqenin e Fierzës. Ujin e tyre të pisët mos e shpërdoroni kot por lani WC pasi çdo shtypje ka kosto që ekspertët tanë ndërministror i kanë studiuar me kujdes.

E ENJTE
Ditën e enjte të gatuhet për gjithë javën. Fasulet të mos vendosen direkt në sobë pasi marrin shumë orë dhe shpenzojnë shumë gaz. Këshillohet të vendosen në ujë dhe mundësisht në një ambient ku hyjnë rrezet e diellit. Pasi të zbuten për afro 8 orë, të gatuhen bashkë me mishin, por në fund të ndahen nga njëri-tjetri. Supa dhe eventualisht ndonjë gjellë tjetër, të gatuhen në sasi që të përballojnë edhe ndonjë mysafir që mund të vij gjatë javës. Kujdes! Konsumimi i fasules të përdoret veç gjatë ditëve më të ftohta të dimrit për të kursyer edhe kondicionerin.

E PREMTE
Edhe me fe edhe me shkencë, këshillohet që një ditë në javë, njerëzit mund të agjërojnë. Agjërimi i bën shumë mirë trupit dhe sidomos trurit të njeriut. Agjërimi nënkupton jo vetëm një stomak bosh, por edhe një mendje të pandotur nga kazanët televizivë. Të premten, mos ndizni as radion as televizorin. Mund të pini ujë, por jo më shumë se 4-5 gota në ditë. Ndërkohë, sugjerohet të dëgjohet kënga korçare: “S’kam ç’e dua pasurinë!”

E SHTUNË
Ndizni dushin dhe bëhuni gati për larjen javor. Në stinën e vjeshtës, dushi mund të bëhet edhe një herë çdo dy javë. Temperatura e ujit jo më shumë se 35 gradë. Koha e larjes të reduktohet në 2 minuta ose mundet edhe 3 minuta nëse jeni djersitur pasi keni parë lajmet e darkës. Kujdes! Pasi të dilni, mbylleni derën pasi avullin e krijuar duhet ta përdori anëtari tjetër i familjes në radhë për të zbutur paraprakisht lëkurën.

E DIEL
Mos harroni që makinat nuk duhen ndezur, së paku derisa të mbarojë lufta në Ukrainë. Pazaret, shëtitjet dhe vajtje-ardhjet, këshillohen të bëhen me urban, ose në raste kur nxitoni mund të ecni edhe në këmbë pa përdorur atletet e mira.

P.S. Gjatë gjithë ditëve të javës këshillohet që dritat të shuhen dhe të përdoren qirinjtë që sipas studimeve të fundit tregon se të bën shumë mirë për sytë, zemrën, mendjen dhe padyshim edhe për xhepin. Dritat mund të ndizen lirisht në raste ditëlindjesh, festa familjare apo raste emergjence.
Meqë po afron stina e dimrit dhe kemi të ashtëquajturin problem të ngrohjes. Këshillohet vrap familjarisht në pyllet orbitale. Për ata që përtojnë vrap rreth pallatit ose shtëpisë. Në këtë mënyrë trupi jo vetëm ngrohet dhe mbahet në formë fizike, por mënjanohet edhe check up falas.
Për të dhënë shembullin personal, Parlamenti do të zhvillojë seancat plenare vetëm në teatrin veror dhe vetëm në ditët kur ka mjaftueshëm diell. Qeveria nga ana e vet do të zhvillojë mbledhjet në tunelin e Skavicës, të Elbasanit dhe në atë të Kalimashit. Tunelet janë zgjedhur për të respektuar ndarja gjeografike (Shqipëria e Veriut, e Mesme dhe e Jugut)
Agjencia për Median dhe Informacionin do të kujdeset që të paktën deri në pranverën e ardhshme të hiqen nga qarkullimi këngët:
– Si ylber me ngjyra, vezullojnë dritat.
– Si qiriri do të tretem.
– O parti o drita jonë.
-Jemi fanar buzë Adriatikut
Në vend të këtyre këngëve do të dëgjoni pak më shpesh këngët
-Ndriçon dielli praron hana…
– Lum kujt i bine rrezet e TIJA…
Sakaq, qytetarë dhe fshatarë janë të lutur të mos na bëjnë me turp karshi botës duke u ankuar, protestuar apo revoltuar se siç e dini jemi në kohë lufte, me armiq të dukshëm e të padukshëm, të jashtëm dhe sidomos të brendshëm. Mos harroni amanetin e të parëve: Bar do të hamë dhe zë nuk do të nxjerrim!

Read Previous

Vdes Lilo Labja

Read Next

Moti i keq/ Dëmtohet linja e energjisë elektrike në Fierzë, OSHEE: Po riparojmë avarinë