Nga Elona Caslli: Libra falas, libra në përdorim apo libra të kthyer Rama?!

Nga Elona Caslli

Rama, ka një hendek shumë të madh midis një libri falas, një libri në përdorim dhe një libri të kthyer.

Që të mos biem në kurthin e interpretimeve personale, le t’i drejtohemi urtisë së shkencës dhe të shohim kupimin e ndajfoljes ,mbiemrit dhe foljes përkatëse.

-Falas- Pa paguar asgjë; pa kërkuar asnjë shpërblim; pa shpërblim.
Shembull- Arsimi falas; ndihmë mjekësore falas.

-Përdorur- Që është përdorur për një fare kohe, që është shtënë në punë a është shfrytëzuar edhe nga të tjerë më përpara; që është mbajtur , që s’është më i ri.
Shembull- Kostum i përdorur

-Kthej- I jap dikujt atë që më ka marrë, a që më ka dhënë.
Shembull- I kthej gazetën

Nxënësit janë përfitues të librave në përdorim Rama dhe jo përfitues të librave falas.

Nëse nxënësit do të ishin përfitues të librave falas, atëherë nuk do të ishin të detyruar t’i kthenin librat në fund të vitit shkollor. E marrim me radhë;

-Përfitues të librave falas për këtë vit shkollor janë vetëm nxënësit e klasës së parë.
-Nxënësit e klasës së dytë, së tretë, së katërt dhe së pestë janë përfitues të librave në përdorim, sepse janë të detyruar t’i kthejnë sërish librat në shkollë.

Me pak fjalë, vetëm një nxënës i klasës së parë ka të drejtë të shqiptojë fjalinë- Ky është libri im.
Nxënësit e klasave të tjera mund të thonë vetëm – Ky është libri, pasi libri nuk i përket dhe nuk mund të ndërtojë asnjë marrëdhënie përkatësie me këtë të fundit.
Shkurt, – Libri i përket gjithkujt dhe askujt njëkohësisht.

Kushdo që ka pasur përvojë në mësimdhënie e di fort mirë që librat në përdorim, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e gjymtojnë marrëdhënien e nxënësit me librin dhe rrjedhimisht me dijen.

Çdo individ ka mënyrën e tij të të nxënit apo të të kujtuarit. Një nxënës e ka me një shënim në fund të faqes, një tjetër e ka duke nënvizuar një fjalë, një tjetër duke nënvizuar një paragraf e kështu me radhë.

Fakti që libri nuk i përket nxënësit dhe ai e ka vetëm në përdorim, bën që nxënësi t’i rrudhë veprimet e tij mbi librin dhe ky fakt nuk e ndihmon procesin e të nxënit, por veçse e vështirëson atë.

Nxënësit që kanë librat në përdorim duhet të jenë tejet të kujdesshëm gjatë vitit shkollor, pasi në fund të vitit këta libra duhet t’i nënshtrohen testit dhe duhet të klasifikohen në libra të përshtatshëm apo libra të papërshtatshëm.

Librat e përshtatshëm quhen ata libra, që pasi janë përdorur nga një nxënës gjatë një viti, do t’i kalohen një nxënësi tjetër në vitin shkollor.

Për këtë arsye çdo prind në fund të vitit shkollor gjendet duke fshirë shënimet që fëmija ka bërë mbi libër, në mënyrë që libri të rikthehet në shkollë dhe t’i kalojë një nxënësi tjetër.

Librat e papërshtatshëm quhen ata libra që përmbajnë shumë shënime nga nxënësi apo nuk janë mirëmbajtur nga ky i fundit dhe si rrjedhim nuk mund t’i jepen në përdorim një nxënësi tjetër.
Prindi i fëmijës është i detyruar t’i paguajë këta libra.

Në fund të procesit kemi një bashkësi librash të përshtatshëm (të përdorur) dhe një bashkësi librash të rinj që janë blerë nga prindërit për të zëvendësuar librat e papërshtatshëm me të cilët nxënësi nuk është treguar fort i kujdesshëm.

Këtu lind një problem tjetër që bie mbi shpatullat e mësuesit:
Tek librat e kthyer mund të kemi libra të rinj dhe libra të përdorur. Kujt do t’i jepen librat e rinj dhe kujt do t’i jepen librat e përdorur?!
Kushdo do të zgjidhte një libër të ri në vend të një libri të përdorur.
Kush meriton librin e ri dhe kush meriton librin e përdorur?!
Kjo është çështja!

Nuk janë libra falas, Rama. Janë libra në përdorim ose libra të kthyer, të cilët nuk bëjnë gjë tjetër veçse na rikujtojnë një çoroditje të plotë kombëtare e cila ka prekur të gjithë Shqipërinë.

Post Scriptum- Në postimin tënd lidhur me këtë çështje shkruhet – Gur, gur, bëhet kalaja, por në të vërtetë – Gur, gur, bëhet Kalaja e Dështimit.

 

Read Previous

Viti i ri shkollor, Zhupa: 226 mijë nxënës më pak në 15 vjet

Read Next

Viti i ri shkollor, Meta: Dështim i arsimit, nesër të gjithë në protestë tek Inceneratori i Tiranës