Në rrugët plot lapidarë!

Së pari, në emër të Redaksisë së kasneci.al i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të personave që humbën jetën në aksidentin e ndodhur në aksin Fier – Vlorë.

Kur udhëton nëpër rrugët e Shqipërisë të duket sikur je duke udhëtuar përgjatë një varreze të pafund, prej lapidarëve të ngritur në kujtim të viktimave të aksidenteve rrugore. Shqipëria është nga vendet më me shumë aksidente automobilistike në rajon.

Edhe pse infrastruktura rrugore ka përmirësime të ndjeshme në aspektin fizik të rrugëve, por jo aq në atë të sinjalistikës rrugore, numri i aksidenteve ka një rritje të frikshme.

Por, përtej çdo mangësie, problemi kryesor i aksidenteve fatale në vendin tonë vjen si pasojë e pa përgjegjshmërisë së drejtuesve të automjeteve. Alkoli, droga, nguti, mendjemadhësia janë shkaktarë kryesorë të aksidenteve në vend.

Është për të ardhur keq pasi ligjet në këtë drejtim janë tepër të serta, nga më të sertat në Europë, por zbatimi i tyre me përpikmëri është jashtëzakonisht i dobët. Mungesa e dënimit shembullor të shkelësve të ligjit është një dështim i përsëritur i shtetit shqiptar. Korrupsioni në organet ligjzbatuese dhe ato të drejtësisë është shkaku kryesor i këtij mos zbatimi. Të rinj, kryesisht grupmosha 17-28 vjeç, qarkullojnë jashtë çdo norme të lejuar nëpër rrugët e vendit, madje edhe në zonat urbane.

Pa përgjegjshmëria e tyre vjen edhe si pasojë e prindit, ata shpesh janë ose kontigjente kriminale ose bij të fortësh, apo bij biznesmenësh a politikanësh. Këta nuk dënohen kurrë!Gjobat ata i paguajnë pa asnjë lloj shtrëngimi, paraja nuk ju mungon, dhe mjerë kujt i bie të dalë para këtyre në xhade.

Ata janë të papunë, por janë gjithmonë në nxitim, nuk kanë kohë, janë një bombë e lëvizshme në rrugët e vendit. Zgjidhja?E vetmja zgjidhje është zbatimi i ligjit, që nga polici në rrugë e deri te prokurori e gjykatësi, duhet të ketë zbatim të rreptë të ligjit. Askush nuk duhet ta ndiej veten i sigurtë nga këta, ata nuk zgjedhin, në rrugë për ta komandon vetëm shpejtësia, adrenalina e mendjemadhësisë dhe siguria se ligji nuk ka çfarë u bën atyre.

Kjo gjë duhet të marrë fund pasi secili prej nesh është udhëtar, secili prej nesh mund të jetë pre e shpejtësisë së tyre, shpejtësia e tyre nuk zgjedh, je njeri i varfër apo i pasur, je polic, gjyqtar, prokuror, apo çfarëdo. Gjuha e përdorur nga Policia e Shteti për shtrengim masash apo vrojtime me dronë nuk është zgjigje.

Policia e shtetit duhet t’i japë autoritet policit në rrugë që kur përballet me shkelës të tillë të ligjit, ne telefonin e policit mos të vijë urdhëri nga “lart”, -liroje.

Kjo është puna e parë që duhet të bëjë policia. Gjykatat duhet të jenë nën monitorim të rreptë kur japin dënime për ta.

Nuk është mungesa e paisjeve të nevojshme të policisë që shakton këto tragjedi, është mungesa e zbatimit të ligjit dhe korrupsioni. Që ne të lëvizim të qetë në rrugë, rrugët e këtyre njerëzve të papërgjegjshëm për t’i shpëtuar ligjit duhet të ndërpriten.

Read Next

Sfidat e integrimit të Ballkanit Perëndimor