Lutfi Dervishi: Publikimi llogarive bankare, perversitet dhe papërgjegjshmëri

Gazetari Lutfi Dervishi ka reaguar me tone të ashpra për publikimin e llogarive bankare nga grupi i hakerave iranianë “Homeland Justice”.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Dervishi thotë se publikimi llogarive bankare është perversitet dhe papërgjegjshmëri.

Ai deklaron se është ajo që i ngelet shqiptarëve nga ky dëm që po i bëjnë të ashtuquajturit hakera, është që ta minimizojnë këtë dëm dhe sipas tij bëhet vetëm duke mos i dhënë zë publikimeve të tyre.

“Publikimi llogarive bankare, perversitet dhe papërgjegjshmëri!

Postimi sot në rrjetin telegram i llogarive bankare të 300 personave dhe institucioneve nga “hakerat iranianë” është gozhda e fundit në arkiviolin e hapur të të dhënave personale të shqiptarëve.

Ende nuk dihet se çfarë mund të vijë më pas dhe çfarë ka mbetur pa u publikuar.  Ai që sot fërkon duart për të tjerët, nesër do të jetë vetë në listë. Eshtë totalisht jo etike, e kundërligjshme dhe amorale “argëtimi” në portale me tituj: “ja sa para ka filani ….”, “nuk do ta besoni sa para ka X”.  Dhe kjo është pjesa “rozë”. Rreziku është shumë më i madh.

Këtu nuk bëhet fjalë më për interes publik madje as për gjëra interesante për publikun. Këtu nuk bëhet fjalë për publikimin e Panama Papers, ku ekspozon para të fshehura, pasuri të vëna në mënyrë të paligjshme, apo evadorë fiskalë. Po publikohen llogari bankare të biznesmenëve shqiptarë, institucioneve shqiptare apo individëve që janë në punën e tyre. Nuk duket se ka një investigim për të kuptuar se ku mund të ketë abuzim, por ka një tendencë argëtuese me qëllim final për të marrë ca klikime më shumë?!

Eshtë e qartë se nuk mund të ndalohen hakerat të publikojnë çfarë kanë marrë, madje është e qartë se nuk ka vullnet as për të hetuar përgjegjëgjësit  këtu (histori që nis në prill të 2021 me patronazhistët) për dorëzimin e “shtetit digjital” në xhepat e hakerave iranianë. Eshtë e qartë se as penalisht, as politikisht dhe as administrativisht nuk do të marrë kush përgjegjësi, por ajo që mund të bëhet është minimizimi i dëmit. Dhe ky minimizim ndodh vetëm nëse publikimi i postimeve të hakerave bëhet me përzgjedhje, dhe vetëm nëse ka interes publik, jo thjesht interesant për publikun, pa kaluar në perversitet dhe papërgjegjshmëri.

Ata që ripostojnë materiale të tilla sigurisht nuk mendojnë se ky publikim vë në rrezik njerëzit. Personat mund të kërcënohen sot/nesër me rrëmbim fëmijësh ose me jetë nëse nuk dorëzojnë një pjesë të shumës.

Dhe nëse kjo ndodh a mund të flejë gjumë i qetë ai/ajo që ka ndihmuar grabitësit?”, thekson gazetari.

Read Previous

Mosdorëzimi i Dorëheqjes në Gjykatë nga ana e Lulzim Bashës & Gazmend Bardhit në Europë Konsiderohen Akt Penal

Read Next

Çmimet e banesave gjatë vitit 2022 janë rritur me ritme tre herë më të larta se mesatarja historike.