Kur ka filluar ndikimi i spiunazhit rus në trojet shqiptare?

Nga Hasan Bello

Sipas disa studimeve të realizuara vitet e fundit mbi veprimtarinë e spiunazhit rus në Perandorinë Osmane, historianë të ndryshëm kanë arritur në përfundimin se ndikimi i tij në Ballkan dhe në trojet shqiptare ka nisur që në shek.XVI-të. Ai ka filluar me dërgimin e një numri të madh diplomatësh, arkeologësh, udhëpërshkruesish, shkrimtarësh etj. Këta kishin si qëllim mbledhjen e informacioneve mbi popujt ballkanikë e më pas organizimin e kryengritjeve.

Në shek.XVII-XVIII-të Rusia arriti që rrjetin e saj të spiunazhit ta konsolidonte tek të gjith popujt ballkanikë. Kjo sidomos në periudhën e Pjetrit të Madh (1672-1725), i cili përveç ekspansionit politik duke i zgjeruar kufinjtë e shtetit rus, udhëhoqi një revolucion kulturorë. Ai zëvendësoi tradicionalen dhe shoqërinë mesjetare ruse me një sistem politik modern, shkencor, racionalist, dhe me orientim europian. Në fokus të interesave të saj ishin kryesisht ortodoksët në Serbi, Malin e Zi, Bullgari, Greqi. Por jasht interesave nuk mbetej as Perandoria Osmane dhe shqiptarët. Në një letër drejtuar ambasadorit rus në Stamboll, P.Andrejeviç Tolstoi, më 1 prill 1702 Pjetri i Madh kërkonte që krahas mbledhjes së informacioneve me karakter politik, ekonomik, diplomatik, ushtarak dhe gjeografik, një rëndësi të madhe t`i kushtonte popullsisë ortodokse në Perandorinë Osmane.

Këto rezultate do të shihen në përplasjet e brendshme që u zhvilluan në shtetin osman pas një sërë kryengritjesh të ajanëve (feudalëve me ndikim lokal) dhe Revolucionit Grek, ku ndikimi i spiunazhit rus do të luaj një rol aktiv. Por kulmi i aktivizimit të kësaj armate, të padukshme, që vepronte si pararojë e ushtrisë ruse është lufta e Krimesë (4 tetor 1853-30 mars 1856). Vetëm në Bullgari spiunazhi rus kishte arritur të rekrutonte 70.000 persona të cilët sapo tu jepej urdhër ishin të gatshëm të merrnin armët. Fitorja e ushtrisë osmane në Krime u shoqërua me humbje të jashtzakonshme. Ndërsa rritja e borxhit të jashtëm, shkaktoi falimentimin e saj financiarë.

Periudha deri në Kongresin e Berlinit (1878) kur Perandoria Osmane do të humbi luftën me Rusinë dhe do të detyrohet të pranoi lindjen e disa shteteve sllave në Ballkan konsiderohet si një fitore tjetër e spiunazhit rus. Pas krijimit të këtyre shteteve, rrjeti i këtij spinazhi do të shtrihet akoma dhe më shumë në brendësi të territorit shqiptar. Aq sa gazeta britanike “Standard” e 14 gushtit 1888 shkruante hapur për veprimtarinë e konsullit rus në Bukuresht, i cili kishte krijuar një komitet me agjentë dhe revolucionarë, me qëllim organizimin e kryengritjeve dhe veprimtarisë subversive në krahinat shqiptare.

Përmbushja e aspiratave ruse në vitin 1913 kur gati gjysma e kombit shqiptar iu aneksua shteteve sllave dhe Greqisë, krahas ushtrisë dhe diplomacisë ka në një sfond të padukshëm edhe kontributin e spinazhit rus.

Read Previous

Komisioni i Rithemelimit zbardh emrat/ Ja kush janë anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD

Read Next

Lista e plotë me anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PD