Kryemadhi për VOA: LSI e qëndrueshme në angazhimet që merr përsipër

Nga SHBA në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi iu përgjigj kryedemokratit Lulzim Basha i cili e cilësoi presidentin Ilir Meta pjesë e trekëndëshit të Bermudës, duke e grupuar me Berishën dhe Ramën. “Për mua asgjë e re nga fronti i lindjes”, u shpreh Kryemadhi.

Lidhur me konfliktin e brendshëm në PD mes Bashës dhe Berishës, Kryemadhi nuk komentoi, ajo ka përsëritur se LSI ka patur gjithmonë angazhim të qëndrueshëm, duke lënë të nënkuptohet që Basha është ai që nuk është i qëndrueshëm.

“Nuk dua të komentoj asgjë që ka të bëjë me punët e brendshme të PD. Ne me PD na ka lidhur bashkimi me kauzat për të mirat e qytetarëve si teatri apo taksa e rrugës së Kukësit. Nga ana e LSI, angazhimi ka qenë gjithmonë luajal dhe e qëndrueshme. Ajo që dua të theksoj, është se nuk kanë rëndësi marrëdhëniet e LSI me PD. Në parlament sot ka një tango teatrale që po rrit borxhin drejt falimentimit të shtetit për të vazhduar me marrëveshje pa transparencë. Sot jeta e shoqërisë shqiptare nuk artikulon për gjëra të rëndësishme për ekzistencën e të rinjve.

Djegia e mandateve ishte një lojë e rrezikshme që cenoi demokracinë dhe solli shpërnguljen në masë të të rinjve dhe të rejave. Duhet të punojmë të gjithë për vendin tonë. Sot pika më kulmore dhe më e rëndësishme, është t’u japim shpresë të rinjve dhe të rejave”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo komentoi edhe deklaratën e presidentit Ilir Meta para zgjedhjeve, që do të kthehet në krye të LSI në përfundim të mandatit të kreut të shtetit, duke theksuar se kushdo është i mirëpritur për t’u kthyer në LSI, për të kontribuar në forcimin e demokracisë. “Nuk mund të them sa i përket kësaj gjëje. Di të them që LSI mirëpret çdo njeri që do të kthehet dhe të kontribuojë për të forcuar demokracinë”, theksoi ajo.

Kryemadhi foli për rolin e LSI, sot e cila ka një numër të vogël deputetësh në parlament dhe pa grup parlamentar. “Sot një nga problematikat më të mëdha që ka jeta politike shqiptare nga zbatimi i rregullores në parlament është në udhëkryq të jashtëzakonshëm. Roli i LSI nga një mekanizëm kontrollues që mbante balancë mes dy ekstremeve të mëdha, tashmë ky mekanizëm që ruante balancë qoftë për reformën në drejtësi, apo edhe në 8 ligjet e saj.

Sot jemi në një aspekt komplet tjetër ku flasim me tallje me qytetarët shqiptarë. Kryeministri flet për ujin e pijshëm. LSI e sheh veten duke vazhduar misionin e saj. Kauza e opozitës deri në zgjedhjet e 2021, ajo që dua të them që LSI vazhdon të qëndrojë. Javën që kaloi dorëzova padinë e tretë për inceneratorin e Fierit. Kemi denoncime të tjera”, tha Kryemadhi.

Read Previous

Italianët nuk pranojnë vaksinim me detyrim, protesta masive

Read Next

Tensione mes Libanit dhe Arabisë Saudite