KLSH: Abuzime me koncesionin e dializës, 600 mijë € pagesa për shërbime të pakryera

Rreth 600 mijë euro i ka paguar Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore koncesionarit të hemodializës për shërbime të pakryera.

Ky është rezultati i një auditimi të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për vitin 2021 në këtë institucion, i cili ka pasur në fokus këtë kontratë 10 vjeçare miratuar nga qeveria në vitin 2016.

Nga auditimi ka rezultuar se nuk është realizuar numri i seancave të dializës sipas projeksionit mujor kryesisht në qendrat e dializës Shkodër e Vlorë, dhe për disa muaj në atë Lezhës, për arsye të numrit më të ulët të pacientëve se sa projeksioni.

Ndërsa në qendrën e Elbasanit ka tejkalim të numrit të trajtimeve të përcaktuara në kontratë dhe kjo llogaritet të këtë një vlerë rreth 150 mijë euro.

Kjo ka sjellë si pasojë efekt financiar nga faturimet për shërbime të pakryera për seancat e dializës me vlerë e rreth 600 mijë eurove.

Numri i seancave të dializës të ofruara nga koncesionari nga të dhënat e vendosura në dispozicion të KLSH-së është 60,719 seanca.

Janë 6248 seanca dialize të parealizuara por të paguara në 5 qendrat e dializës në vend.

Kontrolli i lartë i Shtetit i rekomandon fondit të komunikojë me Ministrinë e Shëndetësisë për planifikim të saktë të numrit të pacientëve me qëllim që të mos krijohen diferenca për faturime në shërbimet e pakryera.

Gjithashtu KLSH rekomandon të negociohet kontrata me kompaninë në mënyre që të paguhet vetëm puna e kryer.

Koncesioni i hemeodializës është një kontratë rreth 80 milionë euro për një periudhë 10-vjeçare.

Read Previous

Bordi Rama vendos çmimet e reja të karburanteve

Read Next

Kryeministri Edi Rama sulmoi nga selia e OKB-së raportin e Dick Martyt