Kiko nga Korfuzi flet për satelitët

Nga Lutfi Dervishi

Kikos nuk iu nda dhimbja e kokës as në Korfuz. Ika nga debati për prindërin 1 dhe prindin 2 dhe tani më duhet të sqaroj shqiptarët për satelitin 1 dhe satelitin 2. Majmun pa punë jam unë?!
Inatin Kiko e kishte sa me shqiptarët që nuk kuptojnë të mirat që u vijnë nga shërbimet satelitore, aq edhe me disa qeveritarë që nxituan të thonë se “Shqipëria tani ka satelitë në hapësirë”. Mos janë nën efektet e covidit? Mos i ka zënë gripi me temperaturë të lartë të gjithë në një ditë?! Eshtë njëlloj sikur emigrantët që vijnë në Shqipëri për disa ditë pushime dhe marrin një makinë me qera, por të afërmëve ua shesin sikur e kanë të veten makinën. Kaq e thjeshtë është kjo punë- tha Kiko. Ti paguan për makinën, por makina nuk është e jotja.
Ngritja e satelitëve është ngjarja më e madhe që nga kalimi i kometës Hallej, por shqiptarëve do t’u duhen vite ta kuptojnë se çfarë kanë arritur. Janë shumë rezistentë ndaj reformave në tokë e jo më atyre atje lart në qiell.
Shqiptarëve u mjafton një sy gjymë dhe harrojnë se çfarë ka ndodhur. Kujtojnë se dita nis kur ata hapin sytë…
Kaq shpejt e harruan tërmetin e 2019, po zjarret e verës gjatë 2020? 2021? 2022?
Kur të bjerë sërish zjarr apo larg qoftë tërmeti, tani që satelitët janë ngritur në hava, zjarrëfikëset dhe ekipet e shpëtimit nga Kosova, Hollanda, Greqia, Rumania dhe Franca do të njoftohen në kohë reale. Sikur vetëm për kaq hallall ato miliona euro?!
Por satelitët do të sjellin plot informacione të dobishme. Dhe të mos harrojmë që informacioni është pushtet. Deri më tani, prej 20 vjetësh, shqiptarët kanë marrë informacion për mbjellljen, kultivimin dhe korrjen e hashashit vetëm nga Guardia di Financa. Që nesër e tutje, do të ketë edhe një burim të dytë informacioni të pavaruar. Ashtu si në gazetari ku një lajm kërkon së paku dy burime, edhe në biznesin e hashashit, nuk do të ketë më lajme të njëanshme. E çfarë janë disa miliona euro, para një burimi të besueshëm?! Asgjë prej gjëje.
Shqipëria renditet në vendin e fundit në Europë për nivelin e perceptimit të korrupsionit. Por renditja do të përmirësohet me hapa galopantë. Tani e tutje për aktet korruptive qofshin në formë shkresore dhe të strukturuar si rasti i incineratorëve, qofshin në formë bajate si bakshishet te mjekët/inspektorët/policët, koordinatorët antikorrupsion që janë ngritur pranë çdo ministrie do të njoftohen në kohë reale. Ditë të zeza po afrohen për korrupsionin në përgjithësi dhe ditë skëterrë po vijnë për ndërtuesit që kanë marrë guximin dhe kanë ndërtuar pa leje edhe në mes të sheshit Skënderbej në Tiranë. Sateliti jo vetëm që do të njoftojë në kohë reale çdo 70 cm që lartësohet, por edhe do të këshillojë ndërtuesit që të kenë kujdes nga zjarri, nga uji dhe nga satelitet 1 dhe 2. Jo miliona, por qindra milionë euro të shpenzosh në luftë kundër informalitetit dhe korrupsionit ja vlen që ç’ke me të.
Me satelitët 1 dhe 2 në hava, nuk ka nevojë të bëhet census. Të numërosh sa njerëz dhe sa prona kanë mbetur në këtë vend. Brenda pak minutash çdo gjë do të jetë e qartë si drita e diellit.
Por ndihmën më të madhe satelitetët do ta japin nga kantieret ku punohet natë e ditë. Ministrat dhe ekipet e xhirimit do të kursejnë dhjetëra orë pune se nuk do të kenë më nevojë të jenë në terren për të njoftuar veprat e shekullit. Satelitët çdo mëngjes do të prodhojnë foto dhe video nga puna e madhe që bëhet natën dhe përmes një aplikacioni do të postojnë direkt në rrjetet sociale të ministrave arritjet e 24 orëve të fundi,t që sigurisht janë të pafundme, por për shkak të mungesës së kohës deri më tani askush nuk ka patur mundësi t’i shohë. Sikur vetëm këtë shërbim të bëjnë satelitët 1 dhe 2 dhe hallall milionat. Kursehet më shumë se karburanti dhe orët e shpenzuara për inspektime.
Sigurisht që çdo gjë që është prodhim njerëzor ka edhe kufizimet e veta. Satelitët psh nuk japin dot informacion për shqiptarët që kalojnë La Manshin apo edhe për ato që ikin dhe kërkojnë azil. Por besohet gjerësisht se ky numër do të pësojë rënie drastike tani që satelitët do të ndriçojnë çdo transformim rrënjësor që është bërë dhe po bëhet në këtë vend.

P.S Kiko ka vetëm një shqetësim dhe një pyetje kardinale:
Shqetësimi: – kur informacioni të vijë nga lart dhe të mbërrijë poshtë në Shqipëri kush do të ketë më parë akses në to, zyrtarët shqiptarë apo hakerat iranianë?
Pyetja: A e shkurtojnë satelitët rrugën për në BE?

Read Previous

ATA NUK ISHIN TRE, BASHKË ME TA ISHTE EDHE DHORI QIRJAZI

Read Next

Zbulohet emri i autorit të dytë që dyshohet se ekzekutoi Edmond Papën