Kërkesa e çuditshme e BE/ Punoni nga shtëpia për të mposhtur Putinin

BE-ja po u kërkon qytetarëve të saj që të përdorin më pak makinat e tyre, të reduktojnë ajrin e kondicionuar dhe të punojnë nga shtëpia tre ditë në javë, për të ulur varësinë nga energjia ruse.

Këto masa, të hartuara në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, do t’i kursenin një familjeje tipike 450 € në vit.

Blerja e energjisë nga Rusia ndihmon në mbështetjen e ekonomisë së saj dhe në financimin e luftës në Ukrainë.

Por Europa ka thënë se e ka të pamundur që të gjejë furnizime alternative, ndaj po u kërkon qytetarëve që të ndryshojnë stilin e tyre të jetesës.

Plani me nëntë pika, i titulluar “Të bëj pjesën time”, u kërkon qytetarëve që të reduktojnë përdorimin e makinave të tyre personale, duke përdorur transportin publik ose duke punuar nga shtëpia tre ditë në javë.

Gjithashtu, ky plan u bën thirrje qytetarëve që:

· Të reduktojnë ngrohjen e shtëpive të tyre në dimër dhe të fikin kondicionerët në verë.

· Të ngasin makinën me një shpejtësi më të vogël në autostrada, pa e ndezur kondicionerin e makinës, pasi në këtë mënyrë harxhohet më pak karburant.

· Të përdorin trenat në vend të fluturimeve me avion.

· Të udhëtojnë me transport publik, në këmbë ose me biçikletë.

Plani gjithashtu u bën thirrje qyteteve që të promovojnë të dielat pa makina, siç bëjnë tashmë disa prej tyre.

“Përballë skenave të tmerrshme të vuajtjeve njerëzore që kemi parë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, njerëzit në Europë duan të ndërmarrin veprime konkrete”, tha Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

“Ky udhëzues përmban disa hapa të thjeshtë për t’u ndjekur nga të gjithë, të cilët me pak ose aspak mundim nga ana jonë mund të zvogëlojnë fluksin e parave që financojnë ushtrinë ruse dhe do të na ndihmojnë të fillojmë rrugëtimin drejt një planeti më të pastër dhe më të qëndrueshëm.”

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë llogarit se nëse çdo qytetar do të ndiqte rekomandimet e saj, mund të kursehen rreth 220 milionë fuçi naftë çdo vit, të mjaftueshme për të mbushur 120 supertankera. Gjithashtu, do të mund të kurseheshin rreth 17 miliardë metra kub gaz, një sasi e mjaftueshme për të ngrohur afro 20 milionë shtëpi.

Në mars, BE njoftoi planin për ta bërë bllokun të pavarur nga importet e energjisë ruse deri në vitin 2030.

Por, ministri gjerman i energjisë, Christian Lindner, tha për BBC të mërkurën se do të ishte e pamundur të ndalohej menjëherë importi i naftës.

Raporti rekomandon gjithashtu që qytetarët të konsiderojnë investimet në izolimin e shtëpisë, në termostatet inteligjente dixhitale dhe në makinat dixhitale. Të gjitha këto mund të ndihmojnë në reduktimin e përdorimit të karburanteve fosile./ BBC-Monitor

Read Previous

Harry apo William, cili është nipi i preferuar i Mbretëreshës Elizabeth?

Read Next

10 fakte për Ditën e Tokës që mund t’ju habisin