Itali/ Nis votimi në mbarë vendin, pritet fitore e të djathtës me Melonin në krye

Italia voton sot për të zgjedhur qeverinë e re në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Sytë e botës, jo vetëm të vendeve evropiane, janë përqendruar te rezultati i këtyre zgjedhjeve, të cilat zhvillohen  në mes të një krize ndërkombëtare të paprecedentë.

Në orën 07:00 qendrat e votimit u hapën rregullisht në mbi 61,000 zona zgjedhore të shpërndara në të gjithë Italinë dhe do të mbyllen në orën 23:00.

Janë pothuajse 51 milionë qytetarë që do të votojnë, 46 milionë në Itali dhe më shumë se 4 milionë jashtë vendit.

Pas një fushate të shkurtër (por intensive) zgjedhore, të zhvilluar për herë të parë në verë, gjithçka u ndal në ditën tradicionale të heshtjes elektorale në të cilën, pas disa tubimeve në rrugë dhe në TV dhe polemikave në mediat sociale, qytetarët kanë mundur të ndalojnë për disa orë dhe të zgjedhin preferencën për t’u shprehur në qendrat e votimit.

Asnjë ndërhyrje publike, siç e kërkon ligji.

Nëse ato janë të sakta, italianët do të zgjedhin qeverinë më të djathtë të vendit të tyre që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Në krye të koalicionit që duket se do të sigurojë shumicën e vendeve në parlamentin italian është Giorgia Meloni, liderja e partisë “Fratelli d’Italia”, Vëllezërit e Italisë, e cila kryeson sondazhet me 36.5% të votave.

Nëse koalicioni i saj arrin të fitojë, ajo gjithashtu do të bëjë histori duke u bërë kryeministrja e parë grua e Italisë. Meloni, 45 vjeç, u rrit në një lagje të klasës punëtore në Romë, e cila njihet më shumë për kultivimin e aktivistëve të majtë sesa për prodhimin e politikanëve të zjarrtë të ekstremit të djathtë.

Partia e saj i ka rrënjët në lëvizjen neofashiste që doli nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore. Simbolet janë një tregues që faktojnë lidhjen e partisë me të kaluarën. Flamuri i partisë përmban një flakë trengjyrëshe që simbolizonte fashizmit në fillim të shekullit të 20-të.

Në të njëjtën kohë, shqetësimi për perspektivën e një koalicioni qeveritar të ekstremit të djathtë që të marrë pushtetin në Itali mbizotëron në Bruksel.

Koalicioni Vëllezërit e Italisë (Fratelli d’Italia) me Giorgia Meloni, Lidhja e Veriut e Matteo Salvinit dhe Forza Italia e Silvio Berlusconi po dërgon mesazhe kontradiktore, të cilat shqetësojnë BE- në dhe NATO -n. Nga njëra anë, Georgia Meloni paraqitet si proatlantike, ndërsa nga ana tjetër Salvini dhe Berlusconi paraqiten si mjaft tolerantë ndaj presidentit rus Vladimir Putin.

Read Previous

Lavrov: Evropa është e nënshtruar ndaj ShBA-ve, referendumet janë kërkesë e popullit…

Read Next

Shtëpia e shqiptarit, e Erdoganit e zotit apo e djallit?