Investigimi/ Tre mëkatet e Ramës me Irfanin

Kur fadromat e IMKT ia behën për të shkallmuar “Prestige resort” të bisnesmenit dhe botuesit Irfan Hysenbelliu, ky i fundit u mbrojt me argumentin se ai gjithçka e kishte me leje, madje të firmosur dhe vetë nga Edi Rama, në 2016-ën, prandaj qëllimi i ruspave të qeverisë ishte që të ndryshonte vijën editoriale të mediave të tij, përmes shantazheve të paligjshme. Për të vërtetuar këtë nënpunësit e “Presige resort” publikuan edhe faksimilen e lejes të KKRT të nënshkruar nga kryeministri (poshtë).

Me të dalë ky dokument si dhe një fotografi e shefit të qeverisë duke drekuar me biznesmenin Hysenbelliu, në shoqëri të Taulant Ballës, Arben Ahmetajt dhe Behgjet Pacollit, pikërisht buzë pishinës që është duke u shkatërruar nga fadromat e IKMT-së, u detyrua të bënte një sqarim ministria e brendëshme.

Po cili nga këto dy versione, aq larg nga njëri-tjetri, është më pranë së vërtetës? Lapsi.al i ka parë ato me lupë, ka analizuar të gjitha të dhënat, natyrisht duke e vëzhguar çështjen nga interesi i publikut dhe rëmbimi ose jo i hapsirave që i përkasin qytetarëve. Duke u nisur nga ky princip qeveria Rama ka bërë së paku tre shkelje flagrante.

Së pari, ato 4 mijë metra hapsirë publike, për të cilat ministria e brendëshme bën sikur i dhimsen sot, qeveria ia kishte falur Irfan Hysenbelliut. Sikurse duket edhe në master planet që i kanë publikuar të njëjtat të dyja palët, në hartë vëzhgohet qartë se bllokimi i rërës dhe ndalimi i vijueshmërisë së bregut të detit si një pronë e të gjithëve, është parashikuar në harten e firmosur nga Rama. Pra nëse biznesmeni do kishte paguar taksat dhe do kishte plotësuar kushtet e pretenduara teknike, ai do ta gëzonte sot, këtë pronë të të gjithëve, me bekimin e Ramës. Madje ai do përvetësonte edhe një pjesë të detit duke ndërtuar një mol për skafe i cili fatmirësisht nuk është ndërtuar ende. Po ashtu, leja e Ramës parashikon një hotel shumë katësh, ndryshe nga plani fillesar i Mak Albania (të gjitha qeveritë nga ajo Meksi, Nano, Meta, Majko, Berisha e kanë zbatuar këtë parim), që prish rregullin e kësaj zone që ndërtimet e betonit mos ngrihen mbi lartësinë e pishave.

Pra, kur ishte mirë me Irfan Hysenbelliun, kur donte të joshte mediat e tij, Edi Rama se kishte për gjë tu grabiste qytetarëve ato 4 mijë metra, për të cilat ministria e brendëshme qurravitet tani.

Së dyti është një foto që flet shumë (këtu lart) ku dhënësi i lejes drekon për shtatë palë qefe me përfituesin e saj në shoqërinë e hierarkëve të PS dhe qeverisë. Kushdo që e ka parë “Prestige resort” e kupton se në kohën ku po konsumohet kjo drekë hoteli është ngritur, pishinat janë ndërtuar dhe shefi i qeverisë po shijon jetën buzë saj. Po ka një pyetje: Kur leja është që në mars 2016, dhe kur taksat nuk janë paguar prej kohësh dhe kushtet teknike nuk jasnë plotësuar gjithashtu, si shkon kryeministri në një objekt që i ka borxh shtetit që ai drejton? Si mund të pijë verë rrehat rehat shefi i qeverisë me një biznesmen që i ka borxh publikut? Si e ka marrë me vete edhe bacën Behgjet Pacolli, të cilit i ka dhënë aeroportin e Vlorës, apo për ti dhënë edhe atij shembullin se ne pijmë bashkë edhe kur ti si paguan taksat?

Në një vend normal, vetëm kaq do të mjaftonte, jo për të shkuar ruspat tek Irfani, po që një kryeministër të jepte dorëheqje. Shoqërimi i Ramës në publik, me një biznesmen që tallet me lejen e firmosur prej tij dhe rrefuzon të paguajë borxhin, do të shpjegohej me promovimin e këtij modeli.

Por në vendin kur Rama të bën të mirë kur je me të, dhe të shkallmon pronën kur e kritikon edhe kjo mund të shitet si normale.

Së treti, qeveria pretendon se futi ruspat ngaqë biznesmeni nuk kishte paguar taksat. Po a zgjidhet konfikti për taksat me shkallmim prone. A i kanë shkuar fadromat edhe biznesmnëve të tjerë që i kanë borxh psh. tatimeve? Ky pretendim është qesharak. Ky aksion ka qëllim vetëm hakmarrjen dhe prandaj për të bërë të munduar atë u ndryshua një ditë më parë drejtori i IKMT-së duke e zëvendësuar me Dallëndyshen e famshme. Prandaj u zgjodhen tre ditë fundjave (prishjet vazhdonin edhe këtë të shtunë), ende pa mbaruar sezoni, që përdhunimi ndaj atij që s’i bindet padronit të bëhej në sy të publikut dhe sa të më shumë njerëzve. Prandaj ruspat, mjetet e rënda dhe policët ecnin me arrogancë, në rërë, në sy të pushuesve me roba banjo. Ato marshonin me justifikimin se po i rikthenin hapsirën publike qytetarëve, por duke harruar se kur Rama e kishte mirë me Irfanin ai ia kishte rëmbyer plazhin qytetarëve duke privatizuar dhe rërën dhe bregun e detit (faksimilja lart)./lapsi.al

Read Previous

PD vijon denoncimin e aferës së inceneratorëve! Malltezi: A ka marrë dhurata të tjera Blushi nga bosët e inceneratorëve?

Read Next

Ndërkohë që disa deputetë presin rikthim të fuqishëm, Basha duket krejt larg objektivave të tillë. Filmohet në rrugët e Amsterdamit