Forcat RENEA aksion kontrollesh në disa qytete të vendit

Forcat Speciale RENEA kanë zhvilluar kontrolle blic këtë mbrëmje në disa zona të qytetit të Elbasanit, Vlorës, Fierit, Durrësit dhe Shkodrës.

Kontrollet kanë patur në fokus personat e shpallur në kërkim apo me precedent penal, ngjarjet kriminale si dhe arrestimin e atyre që mbajnë armë pa leje. Aksioni në vend vjen edhe pas mbledhjes dhe presionit të një dite më parë për drejtuesit e këtyre qarqeve nga kryepolici Gledis Nano.

Mësohet se në Elbasan janë shoqëruar në komisariat 5 persona. Identitetet e tyre ende nuk bëhen me dije ndërsa detaje të reja priten në vijim pasi ato po verifikohen. Raportohet se kontrollet janë zhvilluar në disa banesa dhe lokale, ambiente të cilat dyshohet se frekuentohen nga persona me precedent penal.

Elbasani është një ndër qytetet ku kriminaliteti është i lartë dhe shpeshherë kanë ndodhur atentate mafioze.

Sakaq, kontrolle blic janë zhvilluar edhe në Vlorë. Mësohet se edhe në këtë qytet kontrollet nga autoritetet kanë patur në fokus personat e shpallur në kërkim të cilët janë të përfshirë në ngjarje kriminale.

Dy furgona me forca të ardhura nga Tirana po bëjnë kontrolle nëpër kryqëzime rrugësh, por dhe nëpër lagje apo bllok pallatesh ku mendohet se qëndrojnë përsonat me precedent penal.

Ky aksion vjen dy ditë pas atentatit me armë zjarri ndaj të riut Djego Hanaj i cili u qëllua teksa po shkonte drejt banesës së tij.

Në drejtim të Diego Hanajt është qëlluar 5 herë me kallashnikov, por e ka prekur vetëm një plumb në dorë.

Gjithashtu aksione nga RENEA janë zhvilluar edhe në Fier, Durrës dhe Shkodër. Sipas burimeve në Shkodër janë shoqëruar disa persona ndërsa të tjera detaje do të bëhen me dije në vijim.

Read Previous

Basha tregon dhëmbët: Dua t’ju them që PD është përgatitur për çdo situatë

Read Next

Këngëtarja me famë botërore Adele blen shtëpinë e Rocky Balboa-s