Fier/ Qarkullonte me 100-mijë euro në makinë, arrestohet 28 vjeçari

Një operacion i policisë së Fierit i koduar “Money”, ka sekuestruar një shumë të konsiderueshme parash, duke vënë nën hetim një të ri me precedentë të theksuar kriminale.

Si rezultat i kontrolleve të befasishme të ushtruara në të gjitha akset rrugore të vendit, si edhe monitorimit të vazhdueshëm të ambienteve që frekuentohen nga persona me precedentë kriminal, në vendin e quajtur “Kthesa e Verrisë”, Fier, u ndalua për kontroll, nga shërbimet e Policisë, automjeti tip “Nissan”, me drejtues shtetasin R. Ç., me precedent të mëparshëm për veprimtari kriminale në fushat e plagosjes dhe vjedhjes së pronës e pasurisë.

Si rezultat, në automjetin e 28-vjeçarit u gjetën 97 540 euro dhe 3 000 paund, për të cilat ky shtetas nuk kishte dokumentacion që vërteton burimin e ligjshëm të tyre. Në kuadër të hetimeve për këtë rast, dyshohet se këto shuma parash janë përfituar nga aktivitete të kundërligjshme.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar të DVP Fier referuan materialet dhe nisi procedimi penal për shtetasin R. Ç., 28 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shumat e parave, 3 aparate celulare dhe automjeti me të cilin udhëtonte ky shtetas.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të burimit të të ardhurave të shtetasit R. Ç., si dhe nëse ky shtetas është i implikuar në veprimtari të tjera kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

Read Previous

Shqiptarët, me numrin më të lartë të emigrantëve me gomone në Britani; gati 5 mijë persona kërkuan azil në 6-mujor

Read Next

Shkarkohet drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano