“Do të vijë edhe një mikesha ime të shtunën”

nga Sonila Meço

“Do të vijë edhe një mikesha ime të shtunën”- më pohoi Xhoi me gazmend lozonjar si për të më përforcuar idenë se kurset po shkojnë mbroth.

Dhe ashtu ndodhi, D u shfaq korrekte në leksionin e së shtunës, e imët, e qetë, e matur. Me një lëkurë të zbehtë, por shikim të butë e të ngrohtë.

Ora nis gjithmonë me prezantimin e të ardhurve të rinj. D nisi të tregojë për veten, kish mbaruar studimet 5-vjeçare për biokimi, masterin për biologji molekulare. Kish nisur doktoraturën në të njëjtën fushë. Prej vitesh eksperte biologe. Ndeshet çdo ditë me krime, drama, tragjedi e raste që të lënë netë pa gjumë si për nga tmerri, ashtu edhe historitë me sfond të trishtë e ankthioz.

Dhe për shkak të pamundësisë për t’i përcaktuar moshën (dukej shumë e re për aq sprova e përvoja), për të mos e pyetur pa takt drejtpërdrejt i them me të qeshur: “Po për familjen ke kohë?”
“Patjetër, kam tre fëmijë si drita”.
Shtanga, por nuk e dhashë veten.
Sa herë ndesh mama me tre a më shumë fëmijë, aktive, me pasione, i admiroj dhe zvogëlohem në ankesat e mia, që pavarësisht profesionit e angazhimeve të lodhshme, gjithsesi kam vetëm një vajzë.

Dhe e pyes pa u menduar, me shtysën e një adhurimi të beftë: “Po si ia del dhe mbi të gjitha edhe fundjavën e zure me kurset e mia të komunikimit?”

Qeshi, ashtu qetë, thjesht, me timbër të përsosur: “I dilet, për gjërat e njerëzit që do koha dhe mundimet kanë përmasa të tjera”.

Dhe vijuam, D do të përmirësojë komunikimin, të zhvillojë veten në lëmin e shkrijimtarisë (po mendon edhe për një libër artistik kriminalistik) dhe të mësojë teknika motivimi.

E kisha lënë pas ditën e ngarkuar, teksa më shkruan një mikeshë e përbashkët. “Si t’u duk D”?
Mbeta ca e habitur se nuk bëja dot lidhjen e personave dhe ngjarjeve, por menjëherë i shpreha kënaqësinë e njohjes me një grua, nga ato që dua ta tregoj në shkrimet e mia.

“Prit”,- më tha vrik. “Se mund të të duhet edhe ndonjë element shtesë”,-këtë e tha me një zë lozonjar, sikur do marinonte me ndonjë thashethem të voçkël të padëmshëm përshtypjen time.
“D nuk e ka stomakun, nga një ndërhyrje për t’i shpëtuar atij të mallkuarit”,- dhe nuk shtoi asnjë fjalë duke i lënë pauzës të veprojë si tretëse e diçkaje, që të ngec fytit.

Historia e saj, me identitet të fshehur se po e shkruaj pa leje paraprake (jam e bindur nuk do të ma ndalonte, por as inkurajonte) është e ngjashme me ndoca të tjera, që për shkak të profesionit i ndesh jo rrallë. Duhej ta kisha shkruar me kohë librin për to, por koha dhe mundësia ime nuk arrijnë atë jopërmasë, që njerëz si D kanë.

Në fund të orës u kërkoj gjithmonë të përcaktojnë njëri-tjetrin nëse do të ishin melodi, pikturë, libër, monument, vepër arti…
Dhe teksa po rrekesha t’i gjeja vetë një përcaktim mu proftas pa sforco Lana Del Rey, me atë timbër të ngjashëm zëri dhe vargjet e refrenit:
“Will you still love me when I’m no longer young and beautiful?
Will you still love me when I got nothing but my aching soul?”

Sepse D është e re, sipas atij kodi të papërmasë të kohës, e bukur përtej çdo konvencioni, e adhurueshme në trup të drobitur, por mendje e shpirt plot. Një personazh për të cilin sot mund të flisnin të gjithë, sepse do t’u bënte mirë secilit përballë vetes. Jo veç për ta konsideruar “heroinë”, as nuk i hyn në xhep gjithsesi, por për të zëvendësuar referencat që po zvetniten dhunshëm e imponueshëm nga “cirku dhe buka” e përditshme.

Read Previous

Vritet shqiptari në Gjermani

Read Next

Lindja e një rendi të ri botëror energjetik