Çfarë po ndodh në veri të Kosovës?

Sipas raportimit të mediave vendase, Gazetës Express dhe Televizionit 7, rrugët që të çojnë për në Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të bllokuara. Ditën e sotme ka një shtim të pranisë së automjeteve. Raportohet se qytetarët serbë kanë ngritur edhe tenda të tjera.

 

Raportojnë se çdo 100 metra ka grupe qytetarësh, derisa rruga vazhdon të mbetet e bllokuar nga kamionët, sipër të cilëve janë vendosur flamuj të Serbisë.

 

Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se qytetarët lokalë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak – të cilët kanë bllokuar rrugën pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të masës së reciprocitetit në targa – kanë përforcuar bllokadat me zhavorr.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, përveç këtyre përforcimeve, situata vazhdon të jetë e njëjtë, pa incidente.

“Situata është pothuajse e njëjtë. Ka pengesa në të dyja anët. Është tash edhe një pjesë me zhavorr që është vendosur si pengesë. Situata është e qetë në përgjithësi”, ka thënë Kelani.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet./Gazeta Express

Read Previous

Noka: Basha presion krerëve të degëve në rrethe

Read Next

BE-ja me angazhim diplomatik për uljen e tensioneve në veri