Bilall Kasami rendit arsyet pse refuzoi takimin me Ramën

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, mbrëmjen e kaluar është takuar në Tiranë, me liderët politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

Ftesës së Ramës, nuk  është përgjigjur Bilall Kasami, kreu i Lëvizjes Besa në Maqedoninë e Veriut.

Ai ka treguar se e ka refuzuar ftesën për shkak se deri më tani marrëveshjet që janë shkruar në Tiranë nuk janë zbatuar.

Më tej Kasami ka zbuluar detaje duke thënë se ftesa u ka ardhur nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Ai ka nënvizuar se do të vazhdojnë komunikimet me Ramën ndërsa kur të dakordësohen për takim do të sqarojnë dhe pozicionin e tyre.

“Ftesa na ka ardhur nga Balla, me të cilin kemi kontaktuar dhe në parim jemi dakorduar që ne si lëvizje Besa, të vazhdojmë komunikimet me kryeministrin dhe të ulemi në një takim ku të sqarojmë pozicionin tonë dhe të kërkojmë kryeministrit në implementimin e pikave në marrëveshjen e arritur më herët”, ka thënë Kasami.

Refuzimi i tij, është kritikuar nga kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e cili e ka quajtur një papjekuri politike, refuzimin që kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami i bëri ftesës së kryeministrit Edi Rama.

Në një deklaratë për mediat pas takimit, Ahmeti u shpreh se askush nuk duhet t’i shmanget takimeve të tilla.
“Nuk kanë bërë mirë, kanë bërë papjekuri politike. Nuk duhet t’iu shmanget takimeve të tilla, qofshin në Tiranë, qofshin ato në Shkup. Është mirë, që së paku njerëzit të na shohin së bashku, për të koordinuar ato punë, të cilat priten nga qytetarët që ne duhet t’i bëjmë”, theksoi ai.

Read Previous

Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “First step”.

Read Next

Sekreti që e bën betonin romak më jetëgjatë se ai modern