Berisha: Rama po ushtron terror dixhital mbi administratën

Në konferencën e sotme, kryetari demokrat, Sali Berisha denoncoi edhe një skandal të rëndë të kryeministrit Edi Rama.

“Së fundmi, dua të dënoj me forcën më të madhe, terrorin dixhital mbi administratën shqiptare nga Edi Rama dhe qeveria e tij. Gjatë javës që shkoi është shpërndarë një aplikacion, që do e quaja aplikacioni i terrorit dixhital, funksioni i të cilit është regjistrimi dhe përllogaritja e ‘like-eve’. Ky përbën një terror psikologjik dixhital.

Ky vendim absurd, primitiv, u mor nga Edi Rama pasi e pa veten të tejkaluar tërësisht nga Berisha në bilancin e botës dixhitale.

Me gjithë blerjen, me gjithë dhjetëra-mijëra euro që ka shpenzuar për të blerë ‘like’ dhe llogari false, kalon në një hap të paimagjinueshëm që të detyrojë punonjësit e administratës të bëjnë ‘like’ dhe t’ua masë këtë me aplikacion.

Unë i bëj thirrje Mark Zuckerberg, Elon Musk, të ndëshkojnë këtë praktikë të abuzimit në rrjetet sociale nga një njeri që nuk ka asnjë parim, që terrorizon punonjësit e thjeshtë, dhe të heqin këtë të drejtë derisa të anulojnë këtë aplikacion famëzi të kontrollit të qytetarëve.

PD do konsiderojë në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë, edhe një proces ndërkombëtar ndaj Edi Ramës për këtë çështje. Ky është terror, ky është turp, ky është depersonalizim.

A mundet një mendje e mbrapshtë të shfrytëzojë më shumë rrjetet dixhitale? Kur nuk e duan, nuk e duan. Arrogant, hajdut, njeri që është bërë simbol i vjedhjes. Si mund ta duan njerëzit atë.

Tani shpik aplikacionin, nëse nuk më bën ‘like’, ikën nga puna. Absolutisht. Mos vidh, ky është i gjithë ilaçi. Çdo shqiptar e ka marrë vesh se ky vjedh, se është hajdut kongjenital, i papërmbajtur,” tha Berisha.

Read Previous

Mbi 14 mijë të prekur në një javë, gripi më agresiv se Covid-19 në Shqipëri

Read Next

Asosacioni i serbëve/ Ngushtohet laku i presionit amerikan ndaj Kurtit