Amnistia për ndërtimet pa leje/ Berisha:Dhunim flagrant i ligjit

Gjatë fjalës së tij para nisjes së mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha hoqi një paralele se si ligji ka “goditur” qytetarët e thjeshtë për ndërtimet pa leje dhe se si Edi Rama po amniston ndërtuesit që e shkelin.

“Nëse ndalemi në vendimin e qeverisë, të ashtuquajtur qeveri, për pallate dhe shtesat pa leje, ai është një akt i pashembullt, ku me ligj qeverie, merren në mënyrë flagrante, funksionet e parlamentit, me vendim qeverie pushohen çështje gjyqësore, me vendim qeverie, bllokohet sistemi i drejtësisë, me vendim qeverie, vendoset një standard i tmerrshëm në vend. Ligjet e vendit, kanë parashikuar se çdo ndërtim pa leje konfiskohet, dhe se autori i këtij ndërtimi, dënohet sipas llojit të ndërtimit, pesë deri në 8 vjet burg. Këto janë dispozitat e përcaktuara në kodin penal dhe të votuara nga kjo pseudo-mazhorancë.  Bazuar në këto dispozita, për një kotec, për një gjysmë çatie, për një avlli, qoftë për një shtesë dhome, janë dënuar me burg 3 mijë e 400 qytetarë shqiptarë. Janë ndjekur penalisht mijëra e mijëra të tjerë. Kurse tani, kur vjen problemi te kullat e qeverisë, te pallatet e qeveritarëve dhe klientelës së tyre, për ta ligji nuk ekziston. Edi Rama bën vendimin e amnistisë së tyre.  Ky është një provokacion i ulët për çdo shqiptar. Ky është dhunim flagrant i parlamentit, i cili është i vetmi institucion që ka të drejtën e aministisë”, tha Berisha.

Qytetarët flasin se Edi Rama është aksioner në çdo kullë, shtoi ai.

“Unë nuk mund të them, por një kryeministër që firmos një akt të tillë, që shkelmon Kushtetutën dhe Kodin Penal, një kryeministër që bllokon, që nuk ka asnjë të drejtë, në Shqipëri as presidenti nuk e ka të drejtën e faljes për ata që janë në proces gjyqësor. Pas procesit ekziston ky atribut i presidentit. Një njeri, që kontrollon çdo pushtet, dhe që ka interes vetëm pasurimin e tij dhe të familjes së tij, i lejon vetes një akt të tillë të pashembullt. Çfarë do u themi ne 3400 qytetarëve që hynë në burgje dhe vdiqën prej tyre? Çfarë shteti është ky? Ky është antishtet. Ky është shtet pa asnjë siguri ligjore, juridike. Këto i realizon njeriu që ka futur në dorë të gjitha pushtetet. Po çfarë janë bandat në krahasim me këto akte? A mund të më thoni ju mua”, deklaroi Berisha.

Berisha theksoi se parlamenti de facto me këto gjëra është i asgjësuar, por shtoi se “ne do vazhdojmë betejën tonë në parlament, në salla, në rrugë, në sheshe.

“Do bëjmë gjithçka për të justifikuar pritshmëritë e shqiptarëve ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës”, tha ai

Read Previous

“Karteli drejton trafikun nga burgu”, Artan Hoxha rrëfen udhëtimin në Ekuador

Read Next

Malltezi: Olsi Rama mori Partizanin pa asnjë letër! Thirrin opozitarët në SPAK për të shmangur inceneratorët