Shumica socialiste miratoi në Kuvend ligjin kontravers “për bashkëqeverisjen”, i cili ngre në nivel ligjor platformën elektorale të PS-së. Opozita e kundërshtoi ligjin si një kontroll politik mbi administratën
BIRN
Çdo institucion ka detyrim t’i përgjigjet koordinatorit të agjencisë brenda një afati 10-20 ditë. Koordinatorëve u jepen kompetenca për të propozuar masa administrative deri në shkarkim të titullarëve, qofshin ata dhe ministra.
Zv/kryeministri Arben Ahmetaj tha se platforma digjitale ku qytetarët do të ankohen është një progres të cilin opozita e gjykon ngushtë. “Mund t’ju sjell shembuj që nga shpikja e lavatriçes deri tek Apple që janë përqeshur. Edhe Steve Jobs kështu e tallën. E njëjta gjë është edhe me ligjin e bashkëqeverisjen”- tha ai.
Ndërsa ministri i Drejtësisë Ulsi Manja bëri një përshkrim të administratës shtetërore si një sistem burokracie të sofistikuar. “Ata për të cilët po flas nuk denjojnë që të kthejnë përgjigje as në një copë letër”-tha ai duke i veshur Agjencisë atributet e zgjidhjes së halleve të njerëzve në raport me administratën.
Për opozitën kjo agjenci është një kambanë alarmi për demokracinë pasi sjell centralizim të pushtetit dhe kontrollit në duart e kryeministrit. Deputetja e PD-së Jorida Tabaku e cilësoi një “qeveri paralele” të Ramës ngritjen e Agjencisë, që sipas saj, “do të jetë zbatuese e funksioneve partiake”. Për deputetin Oerd Bylykbashi ligji bie në kundërshtim me Kodin e Procedurës Administrative duke e futur punonjësin publik në konfuzion.
Deputetë të tjerë të opozitës e krahasuan agjencinë me strukturat politike të kontrollit të përdorura nga regjimi komunist dhe e cilësuan atë një sistem patronazhist të ligjëruar, që mund të përdorë të dhënat personale të qytetarëve për arsye politike.
Ligji është kritikuar dhe nga organizatat e shoqërisë civile. Komiteti Shqiptar i Helsinkit dërgoi sugjerime me shkrim në Komisionin e Ligjeve duke argumentuar papajtueshmërinë e ligjit me ligje të tjera dhe rrezikimin e përqendrimit të pushtetit e kontrollit në duart e kryeministrit. Sugjerimet nuk u morën parasysh nga mazhoranca socialiste. Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të kërkojë shfuqizimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.