Tenderi/ Ardi Veliu 270 mijë euro për përgjues para zgjedhjeve

Nga Boldnews.al 

Ardi Veliu, një nga drejtorët më të përfolur të Policisë së Shtetit, drejton nga shtatori i vitit 2022 Agjencinë e Mbrojtjes Policore. Një agjenci e cila duhet të kontrollojë veprimet e mbi 10 mijë punonjësve të Policisë së Shtetit. Por, që në të kaluarën, është përdorur për t’u bërë presion cilido punonjësi që “nuk zbaton urdhrat”.

Gjithmonë, para zgjedhjeve, ish-Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i Policisë vihej në lëvizje, për të kapur punonjës që merren me fushatë. Apo edhe për të detyruar punonjësit që të “votonin partinë në pushtet”.

Megjithëse objekti i saj është të kontrollojë policët, të mos kryejnë vepra penale, veprime arbitrare, apo edhe të mos marrin ryshfet dhe të shpërdorojnë detyrën, shpesh herë kemi mësuar se agjentët e saj vetëm sa kanë “mbyllur sytë” për të vepruar me urdhra nga lartë. Por, çfarë do të bëjë përpara zgjedhjeve lokale të majit 2023?!

Njoftimi i tenderit të AMP-së për blerje pajisje përgjuese.

Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka hapur një tender në fushën e sigurisë. Bëhet fjalë për një procedurë të kufizuar, ku firmat duhet të kenë licensa të sigurisë. “Objekti i kontratës, marrëveshjes kuadër është ‘blerje sistemi për përgjim ambjental dhe lokalizim’, për nevoja të AMP-së” thuhet në këto dokumente.

Fondi limit i këtij tenderi është plot 26.994.000 lekë, ose me TVSH rreth 270 mijë euro. Një shumë e majme, po ta mendojmë se për çfarë do të përdoret. Duket se strukturat paralele brenda policisë dhe ushtrisë po fuqizohen, pasi edhe më parë Shërbimi Informativ i Ushtrisë po tenderon të blejë një pajisje të tillë. Po përgjimet që do të kryejnë, do të jenë me apo pa leje? A do të merret leje në gjykatë, prokurori për përdorimin e përgjimit ambiental të punonjësve të policisë dhe ushtrisë? Dhe përse po tenderohen tani, para zgjedhjeve lokale?

Duket se qëllimi nuk është vetëm përgjimi i policëve apo ushtarëve, por edhe i “kundërshtarëve” të mazhorancës në këto zgjedhje. Gjithkush nga policët dhe ushtarakët e ka një bindje politike, por tani “Sigurimi i Shtetit” po fuqizohet, duke i detyruar të “ulin kokat” dhe të binden para eprorëve!

Në dokumentet e këtij tenderi theksohet se paratë që do shpenzohen për këtë pajisje janë nga buxheti i shtetit. Pra, me paratë e taksave po blihen pajisje që do përdoren vetëm për qëllime të caktuara, ndërkohë që e çuditshme në këto dokumente është edhe kohëzgjatja e kësaj kontrate, e cila është vetëm 90 ditë.

I gjithë ky fuqizim po i bëhet një njeriu si Ardi Veliu, i atakuar shpeshherë nga opozita gjatë kohës që drejtonte Policinë e Shtetit. Ai zëvendësoi në detyrën e AMP-së Muhamet Rrumbullakun, ku ky i fundit u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Kur u emërua, Rama e cilësonte Veliun me një përvoje të gjatë menaxheriale në strukturat e Policisë së Shtetit si dhe detyrës si zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Por, ish-Kryeministri dhe ish-Presidenti Sali Berisha e akuzoi direkt Veliun se “paguhej 30 mijë € në muaj nga Ervis Martinaj”.

Read Previous

Zbulohet tuneli i kthyer në “shtëpi bari” në Krujë

Read Next

A është nisma e Shqipërisë për “pasaportat e arta” vetëm e pezulluar apo çështje e mbyllur?”, Deutsche Welle: Borell dhe Rama qëndrime ndryshe