450 milionë euro vjedhje me PPP/ Rama bën të paditurin: Kush i ka marrë të ndëshkohet

Kryeministri Edi Rama ka pranuar këtë të premte në Dibër se në projektet e PPP-ve, ka pasur raste korrupsioni. Por kryeministri tha se kush ka përfituar, mban përgjegjësi për veten e tij.

Akuza e opozitës për vjedhjen përmes PPP-ve të 450 milionë eurove, Rama tha se kjo është rrenë.

Edi Rama: Po shihja sot shpenzimet për PPP-të e famshme. Janë rreth 40 milionë në vit të gjitha. Për çfarë? Se këta 450 milionë i vodhën, si i vodhëm? Ato janë për 30 vjet. Dmth kur kalamajtë shokët e Zahos të bëhen sa ata që janë këtu, nuk janë para që kanë dalë e i kanë marrë, paguhen vit pas viti që të pastrohet, të mblidhen plehrat, mos i marri lumi e të përpunohen.

Të tjerat janë që kur shkojnë gratë të lindin fëmijë apo ata që kanë nevojë për operacion mos infektohen mbrapa si infektoheshin kur operoheshin me gërshërët me një dhëmb që në kohën e dashurisë me Kinën, por me materiale mjekësore standardi i fundit.

Instrumentet sterilizohen me standardet e BE, infeksionet post operatore kanë rënë fare se nuk ka më gërshërë nga ata.

Janë për analizat mjekësore, të gjitha këto në sistemin tonë merren falas nga njerëzit, por këto kushtojnë e për këtë paguan shteti.

Këta e bënë legjendë 450 milionë, nuk ekziston, është rrenë e madhe shumë shkurt muhabeti.

Patjetër që në këtë proces ka pasur arsye prokuroria të dyshojë që është bërë korrupsion. Kush ka përfituar për të bërë një rrugë e dy punë, se puna është bërë, faktet janë atje, puna është atje, ka punën e vet me drejtësinë, Secili mban përgjegjësi për veten në raport me ligjin.

 

Read Previous

Elsa Lila rikthehet në Festivalin e Këngës në RTSH

Read Next

Shqipëri thyen embargon ndaj Rusisë