Zgjedhjet lokale në Kosovë: Numri i votuesve, përgatitjet e policisë dhe si mund të votoni me kusht

Ka mbetur vetëm edhe një ditë deri të dielën kur qytetarët e komunave të Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarët e tyre dhe anëtarët e asambleve komunale për katër vitet e ardhshme.

Derisa janë bërë shumica e përgatitjeve nga institucionet e përfshira në procesin e organizimit dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka dhënë edhe një sqarim së fundmi në lidhje me votimin me kusht.

Në zgjedhjet lokale 2021, të cilat do të mbahen të dielën më 17 tetor, votimi me kusht do të jetë i mundur për votuesit vetëm brenda komunës ku ai është i regjistruar si votues.

Në vendvotime do të ketë fletëvotime vetëm të asaj zone, e jo të të gjitha komunave.

“Për dallim nga Zgjedhjet për Kuvend në të cilat e gjithë Republika e Kosovës është një zonë zgjedhore, në Zgjedhjet Lokale çdo komunë është një zonë e veçantë zgjedhore dhe në vendvotimet e asaj zone ka fletëvotime vetëm të asaj komune”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi..

Për t’u mundësuar organizatorëve lëvizje të lirë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të lejojë qarkullimin edhe gjatë orës policore për personat që janë të angazhuar zyrtarisht në organizimin e zgjedhjeve të 17 tetorit.

Ndërkaq, ndonëse Qeveria e Kosovës në vendimin e marrë më 24 shtator për masat e reja antiCOVID-19, ka theksuar se qytetarët të cilët nuk janë të vaksinuar së paku me njërën dozë të vaksinës ose dëshmi të testit negativ nuk do t’u lejohet hyrja në ambiente të mbyllura të lokaleve e as në qendra tregtare, KQZ-ja nuk ka paraparë që t’u kërkojë dëshmi të tilla qytetarëve që do të votojnë.

Kështu ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi. Elezi ka shtuar se nga votuesit KQZ-ja kërkon zbatimin e masave të cilat tashmë janë në fuqi.

Ai ka shtuar se sipas udhëzimit të KQZ-së, votuesit duhet të mbajnë distancën fizike 2 metra gjatë kohës sa janë duke qëndruar në hyrje të qendrës së votimit apo vendvotimit.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë shpërndarjen e materialit kryesor zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet për Zgjedhjet Lokale 2021, gjatë të shtunës.

Shpërndarja do të fillojë nga ora 10:00 nga depoja qendrore e KQZ-së, përballë QNR-së.

KQZ-ja kohë më parë ka çertifikuar listën përfundimtare të votuesve, e cila tregon për numrin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2021, ndërsa numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është 41 mijë e 12 votues.

Në anën tjetër, edhe Policia e Kosovës tashmë është e gatshme për ditën e zgjedhjeve.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në takimin e sotëm ka shpalosur planin operativ për “Zgjedhjet lokale – 2021”, duke thënë se qëllimi i këtij urdhri operativ është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.

Plani parasheh implementimin e katër fazave operacionale, periudha parazgjedhore, siguria gjatë fushatës parazgjedhore, garantimi i sigurisë në ditën e zgjedhjeve, si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të materialit sensitiv deri në përfundim të procesit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë, si dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të policisë me KQZ-në dhe të institucioneve të tjera të angazhuara në këtë proces.

Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët që të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre, gjithnjë duke zbatuar masat për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19./me shkurtime nga Reporteri

Read Previous

“Der Standard”: Me sa duket Borrellit po ia shkruan Beogradi postimet në Twitter

Read Next

4 persona të pa jetë gjenden në një hotel në Qerret, dyshohet se janë shtetas rus