Zelanda e Re do të ndalojë cigaret për brezat e ardhshëm

Zelanda e Re do të ndalojë shitjen e duhanit për gjeneratën e saj të ardhshme, në një përpjekje për të hequr përfundimisht duhanin.

Të gjithë të lindurit pas vitit 2008 nuk do të jenë në gjendje të blejnë cigare apo produkte duhani gjatë jetës së tyre, sipas një ligji që pritet të miratohet vitin e ardhshëm.

“Ne duam të sigurohemi që të rinjtë të mos fillojnë kurrë pirjen e duhanit,” tha ministrja e Shëndetësisë Dr Ayesha Verall, citon BBC.

Lëvizja është pjesë e një goditjeje gjithëpërfshirëse kundër duhanpirjes të shpallur nga ministria e shëndetësisë e Zelandës së Re të enjten. Mjekët dhe ekspertët e tjerë të shëndetësisë në vend kanë mirëpritur reformat, të cilat do të reduktojnë aksesin në duhan dhe do të kufizojnë nivelet e nikotinës në cigare.

“Kjo do t’i ndihmojë njerëzit të heqin dorë ose të kalojnë në produkte më pak të dëmshme dhe do të ketë shumë më pak gjasa që të rinjtë të varen nga nikotina,” tha Profesor Janet Hook nga Universiteti i Otagos.

Megjithatë, të tjerë kanë paralajmëruar se masa mund të krijojë një treg të zi të duhanit – diçka që ministria e shëndetësisë e pranon, duke vënë në dukje se “doganat do të kenë nevojë për më shumë burime për të zbatuar kontrollin kufitar”.

Zelanda e Re është e vendosur të arrijë një objektiv kombëtar për të reduktuar shkallën e saj kombëtare të pirjes së duhanit në 5% deri në vitin 2025, me synimin për ta eliminuar përfundimisht. Për momentin, 13% e të rriturve të Zelandës së Re pinë duhan, me normë shumë më të lartë në mesin e popullsisë indigjene Maori, ku rritet në pothuajse një të tretën. Maori gjithashtu vuan nga një shkallë më e lartë sëmundjesh dhe vdekjesh.

©Kumtari.al

Read Previous

Një operacion dramatik shpëtimi pranë Ujvarës së Niagarës

Read Next

Escobar mbërrin në selinë blu / Nis takimi i parashikuar me Bashën