Ylli Manjani: Autoriteti i Dosjeve duhet të merret nën përgjegjësi penale

Nga Ylli Manjani

E përsëris: Autoriteti i Dosjeve, ashtu siç është, duhet marrë nën përgjegjësi penale për shpërdorim të pastër të detyrës publike.

Me veprime aktive, ata kanë shpërdoruar detyrën me qëllim cenimin e dinjitetit të një personi tjetër. Ata e dinin se I.M nuk është Ilir Meta, por qëllimisht e prodhuan si informacion të rremë për të denigruar figurën e tij.

Me sjelljen e Tij politike nuk është e thënë të jesh dakord, por denigrimi me sajesa të qëllimshme, ku autoriteti ligjor i shtetit përdoret për politikë është i papranueshëm!

Më rëndë akoma, me veprimet e tij, palo Autoriteti keqorientoi edhe Kryetaren e Parlamentit, e cila në daljen e saj publike u bazua tërësisht në informacionin e manipuluar nga ata.

I njëjti informacion është prodhuar edhe për të devijuar Gjykatën Kushtetuese nga dhënia e drejtësisë kur gjykoi shkarkimin e Ilir Metës si President. Pra ata duhen vënë nën akuzë edhe për kallëzim të rremë ose pengim të drejtësisë në dhënien e vendimeve të drejta.

Autoriteti i Dosjeve kishte e ka detyrë ligjore të zbulojë të vërteta të së shkuarës e jo të manipulojë publikun, institucionet kushtetuese në vend dhe aq më pak të cenojë liritë dhe të drejtat themelore të individëve.

Nëse ky Autoritet nuk merret në përgjegjësi penale, atëherë e gjithë kjo vorbull e sajuar keq, trashë fare madje, atëhere kemi të bëjmë me veprime të një shteti të përfshirë fund e krye në veprimtari mafioze.

Marrja e atij Autoriteti, të degjeneruar në publik tashmë, në përgjegjësi penale është një shanc që shteti të distancohet nga barra e veprimtarisë mafioze që kryen pushteti politik monist.

Bashkë me drogimin dhe damkosjen botërore të vendit, pastrimin e parave dhe vjedhjet mafioze të pasurisë publike, përdorimi i institucioneve publike për denigrim të individëve e vulosin shtetin si mafioz.

Duam apo nuk duam, kjo është logjika që lexon këtë realitet.

Post scriptum: Ilir Metës i mjaftojnë “gjynahet” që ka nga sjellja e Tij publike në vite. Sajesat e kësaj natyre vetëm e ndihmojnë të rimëkëmbet. Dobët, shumë dobët luajtën Rama dhe Erioni këtë radhë.

Read Previous

‘Shantazh mafioz! Autoriteti i Dosjeve dhunoi ligjin me regji të Ramës’ ‘Shantazh mafioz! Autoriteti i Dosjeve dhunoi ligjin me regji të Ramës’

Read Next

Blinken ofertë Moskës për lirimin e dy amerikanëve