Vladimir Putin thotë se Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj ‘fisnike’ në Ukrainë

Vladimir Putin ka këmbëngulur se fushata e tij e përgjakshme në Ukrainë do të vazhdojë derisa të arrihen qëllimet e saj “fisnike”, duke argumentuar se pushtimi po vazhdonte siç ishte planifikuar, pavarësisht rezistencës së ashpër ukrainase dhe humbjeve të rënda midis forcave ruse.

“Ne do t’i arrijmë objektivat tona, nuk ka dyshime,” u tha Putin punëtorëve në kozmodromin Vostochny në lindjen e largët të Rusisë, në komentet e tij të para publike mbi luftën që kur forcat e tij u detyruan të tërhiqeshin nga Ukraina veriore më shumë se një javë më parë, raporton The Guardian.

“Qëllimet janë absolutisht të qarta dhe fisnike,” tha Putin për fushatën ushtarake të Rusisë ndërsa qëndronte përkrah homologut të tij bjellorus, Alexander Lukashenko, gjatë një vizite për të shënuar 61-vjetorin e fluturimit të parë njerëzor të kozmonautit sovjetik Yuri Gagarin.

Ishte vetëm dalja e tij e dytë publike brenda një jave, pas një paraqitje të shkurtër në funeralin e politikanit ultranacionalist Vladimir Zhirinovsky, ku ai nuk përmendi drejtpërdrejt luftën. Profili i tij i ulët i kohëve të fundit ka shënuar një ndryshim të madh për një lider që ishte i kudondodhur në televizionin rus në ditët e para të luftës.

Duke folur më vonë në një konferencë shtypi televizive, Putin hodhi poshtë dëshminë ukrainase se trupat ruse kishin ekzekutuar civilë në Bucha, duke i krahasuar vrasjet me ato që ai pretendonte se ishin sulme me armë kimike të organizuara nga perëndimi në Siri që synonin të inkriminonin aleatin e Rusisë, Bashar al-Assad.

“Është i njëjti lloj falsifikimi në Bucha,” tha Putin.

Nuk ishte e qartë nëse Putin donte të thoshte se imazhet e civilëve të vdekur në Bucha ishin inskenuar apo se civilët ishin vrarë nga ukrainasit, dy versione kontradiktore që janë promovuar shumë nga zyrtarët rusë dhe media shtetërore.

Ukraina ka akuzuar ushtrinë ruse për ekzekutimin e civilëve në Bucha, një qytet jashtë kryeqytetit, Kiev, që trupat ruse e pushtuan për disa javë përpara se të tërhiqeshin. Vendet perëndimore po punojnë me Ukrainën në një hetim të përbashkët për të mbledhur prova të krimeve të mundshme të luftës ruse.

©kumtari.al

Read Previous

Biden: Lufta e Rusisë një ‘gjenocid’, po përpiqet të ‘fshijë’ Ukrainën

Read Next

Shteti hungarez bëhet aksioner në ALBtelecom dhe ONE