Viti i ri shkollor/Nxënës e prindër në kaos

 

Erdha, bëra apelin, pash dhe ika… Kjo po ndodh me nxënësit shqiptarë të arsimit parauniversitar, nga klasa e parë deri në gjimnaz. Duke u justifikuar me masat anti-covid, është gjetur një zgjedhje “Alla-Rilindje”, në shkurtimin e orarit të mësimit. Kjo ka bërë që mësimi të zhvillohet me dy apo tre turne ku për shkak të mungesës së infrastrukturës nxënësit e një klase detyrohen të ndahen në dy apo tre grupe për të ruajtur distancën fizike në klasa.

Forma e re “mësimçoroditëse” e qeverisë sonë ka shkaktuar një kaos të vërtetë nëpër shkolla me prindër që dërgojnë nxënësit për dy orë në mësim dhe më pas i presin për t’i dërguar në shtëpi, por në orare të ndryshme, duke nisur nga mëngjesi deri në pasdite vonë. Një alternatim absurd, as mësim online dhe as në klasë me orar të plotë.

Burime nga drejtoritë arsimore në rrethe shprehen se kjo masë është marrë pasi në klasa po synohet që të ketë një numër të kufizuar nxënësish, duke ruajtur distancën fizike, por për mungesë të klasave të mëdha janë të detyruar që të bëjnë mësim me turne dhe me kohë të reduktuar.

Një klasë me 30 nxënës bën mësime me dy turne me orar të kufizuar. Fillimisht futen 15 nxënës dhe u reduktohet ora e mësimit, më pas priten nxënësit e tjerë të turnit të dytë ku mësuesit janë të detyruar të përsërisin atë mësim që kanë kryer me grupin e parë.

Nëse është masë antikovid a nuk e kuptojnë gjenitë e Rilindjes se fëmijët mund ta marrin virusin edhe kur shkëmbehen me dyndjen e madhe të nxënësve që vijnë dhe prindërve të tyre që disa i sjellin fëmijët dhe të tjerë i presin për t’i marrë?

Në të gjithë vendet e rajonit mësimi ka vijuar normalisht, madje nuk po krahasohemi as me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Në Kosovë është vendosur që mësimi të jetë fizik në klasa dhe me orar të plotë. Ministrja e Arsimit të Kosovës, Arbërie Nagavci, është shprehur se: “synojmë të mbajmë shkollat të hapura dhe mësimi të zhvillohet me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore. Kjo edhe për shkak se, të gjitha studimet tregojnë se pasojat tek fëmijët për shkak të mbylljes së shkollave kanë qenë të mëdha”.

Po ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut është ndjekur e njëjta strategji, ku nxënësit e arsimit parauniversitar të të gjithë klasave po vijojnë mësimin normalisht.

Po arsimi ynë a drejtohet nga ‘Fejsbuksat’? Ministrja e Arsimit Evis Kushi shtoi edhe më shumë buzëqeshjen në fytyrë kur u rikonfirmua si ministre edhe në kabinetin Rama 3 dhe u tregua mjaft e zgjuar duke kapur me të dyja duart “konceptin e Rilindjes”. Për të dhe ministrat e tjerë nuk ka rëndësi realiteti dhe produkti, por dukja.

Ndërsa nëpër shkolla prindër dhe nxënës ndodhen në një kaos të vërtetë orar pa orar dhe me marrjen e njohurive minimale, rrjetet sociale të ministres flasin për një tjetër situatë, që është surreale, por paraqitet si e vërtetë vetëm në propagandë. Shfaqen imazhe të shkollave që duke i parë nëpërmjet syrit të kamerave të jepet ideja se infrastruktura shkollore është në nivele të larta. E vërteta është krejt ndryshe. Nxënësit detyrohen të shkojnë në shkolla në orare të ndryshme, duke tentuar të thithin dije për ato pak minuta sa zgjat zhvillimi i një lënde.

Ministrja ka hedhur në rrjetet e saj sociale çdo dalje publike të kryeministrit, kryebashkiakut të Tiranës apo fotografi të vetat, duke e mbushur profilin me “arritje haluçinative”.

Gjen edhe kohë të shprehet se është krenare për boksierin shqiptar Florian Marku, duke valëvitur edhe flamurin e patriotizmit. Sa për mbarëvajtjen e arsimit, që është edhe çelësi i zhvillimit të një shoqërie ministrja se ka kuptuar dhe Akoma më rëndë as nuk do ta kuptojë se situate është dramatike.

Nuk ekziston asnjë studim se ku do të arrihet me këtë mish-mash të Rilindjes në mësimin që nuk është as në klasë me kapacitet të plotë dhe as online. Si “fajsbukse” me dokturaturë, ministrja mund të lundrojë për të parë si është zgjidhur në vendet e tjera, por sigurisht që nuk do të gjejë asnjë si Shqipëria./Boldnews.al

Read Previous

Ursula Von der Leyen në Tiranë/E ardhmja e Shqipërisë është në BE

Read Next

Erjon Braçe i gëzohet fitores së socialdemokratëve në Gjermani