“Venecia e Kinës e Epokës së Gurit” / Si u shemb ky qytet kinez?

Rreth 4000 vjet më parë, një shoqëri e sofistikuar që ndërtoi një qytet kanalesh i njohur si “Venecia e Kinës e Epokës së Gurit” u zhduk papritur. Historianët kanë debatuar gjatë nëse lufta, sëmundja, apo uria shkaktuan kolapsin e kulturës Liangzhu.

Tani, ata kanë identifikuar një fajtor kryesor në rënien e qytetërimit: ndryshimin e klimës. Sipas Ellen Phiddian nga revista Cosmos, studiuesit përcaktuan se një seri jashtëzakonisht e rëndë musonesh të lagësht përmbytën qytetin Liangzhu, duke i detyruar banorët të braktisnin shtëpitë e tyre. Duke shkruar në revistën Science Advances, ekipi detajon se si një cikël tepër aktiv El Niño ka të ngjarë të ketë rezultuar në përmbytje masive dhe në kolaps të infrastrukturës së ndërlikuar të komunitetit.

“Shirat masiv të musonit ndoshta çuan në përmbytje kaq të rënda të lumit Yangtze dhe degëve të tij, saqë edhe digat dhe kanalet e sofistikuara nuk mund t’i përballonin më këto masa uji, duke shkatërruar qytetin Liangzhu dhe duke i detyruar njerëzit të iknin,” thotë autori i studimit, Christoph Spötl, kreu i Grupit Kërkimor Kuaternar në Universitetin e Innsbruck në Austri, në një deklaratë.

I vendosur rreth 100 milje në jugperëndim të Shangait, në një grykëderdhje afër Detit të Kinës Lindore, Liangzhu u banua nga një qytetërim i avancuar i epokës së gurit për rreth 1000 vjet, nga afërsisht 3300-2300 p.e.s. Shoqëria ndërtoi një rrjet të përpunuar kanalesh, digash dhe rezervuarësh që mbështetën një sistem aktiv bujqësor, raporton Alexandra Mae Jones për CTV News.

Kultura e sofistikuar Liangzhu ndërtoi kanale dhe diga dhe krijoi bizhuteri të gdhendura të ndërlikuara prej nefriti

Arkeologët zbuluan rrënojat e qytetit në vitin 1936 dhe që atëherë kanë mbetur në mëdyshje për zhdukjen e tij të papritur. Sipas Muzeut Kombëtar të Artit Aziatik të Smithsonian, gërmimet kanë zbuluar një pasuri të artefakteve në vend, duke përfshirë gdhendje të ndërlikuara nefriti.

Qyteti Liangzhu u rendit si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 2019. Studiuesit më parë kishin hedh hipoteza se përmbytjet ishin arsyeja e braktisjes së Liangzhu, por kishin pak prova për ta mbështetur këtë. “Një shtresë e hollë balte u gjet në rrënojat e ruajtura, e cila tregon për një lidhje të mundshme midis shkatërrimit të qytetërimit të përparuar dhe përmbytjeve të lumit Yangtze ose përmbytjeve nga Deti i Kinës Lindore,” thotë Spötl në deklaratë.

“Asnjë provë nuk mund të gjendej për faktorë njerëzorë siç janë luftrat. Megjithatë, asnjë përfundim i qartë për shkakun nuk ishte i mundur nga vetë shtresa e baltës. Shkencëtarët filluan të ekzaminonin stalagmitet nga dy shpella nënujore aty pranë. Siç raporton Peter Dockrill për Science Alert, ata zbuluan nënshkrime kimike nga rreth 4300 vjet më parë që tregonin reshje jashtëzakonisht të larta, ndoshta të shkaktuara nga ngrohja e ujërave të oqeanit në Paqësor – një ngjarje e njohur si El Niño-Lëkundje Jugore.

“Këto shpella janë eksploruar mirë për vite me radhë,” thotë Spötl. “Ato janë të vendosura në të njëjtën zonë të prekur nga musonet e Azisë Juglindore si delta e Yangtze dhe stalagmitet e tyre ofrojnë një pasqyrë të saktë të kohës së rënies së kulturës Liangzhu.”

Vendvarrimet në Liangzhu kanë zbuluar një grumbull gdhendjesh nefriti dhe gjurmë të tjera të kulturës së përparuar

Sipas Cosmos, studiuesit përdorën analizën e izotopit të karbonit për të përcaktuar lagështinë kur u formuan stalagmitet dhe uranium-torium për të vlerësuar moshën e tyre. Të dhënat treguan një periudhë shirash tepër të dendur midis 4,345 dhe 4,324 vjet më parë, plus ose minus 30 vjet.

“Kjo është jashtëzakonisht e saktë në dritën e dimensionit kohor,” thotë Spötl në deklaratë.

Studimi vë në dukje se lagështia zgjati për disa qindra vjet pas braktisjes së Liangzhu, duke hapur përfundimisht rrugën për ngritjen e dinastisë Xia në vitin 2070 p.e.s. Themeluesi i saj me reputacion, Yu i Madh, prezantoi metoda më të gjera të kontrollit të përmbytjeve dhe njihet si “Zbutësi i Përmbytjes”. “Ndërsa shumë dokumente tregojnë se lideri Yu ndërtoi dinastinë Xia sepse ai menaxhoi me sukses përmbytjet e lumenjve, disa studime sugjerojnë se kontrolli i përmbytjeve nga Yu mund t’i atribuohet ndryshimeve klimatike,” shkruajnë autorët, duke shtuar, “Ky vëzhgim ofron prova të reja të fuqishme se ngritja e dinastisë Xia ndodhi në kontekstin e një tranzicioni të madh klimatik nga lagështi në thatësirë./ Smithsonian

©Kumtari.al

Read Previous

Largohet Ferdinand Xhaferraj nga drejtimi i PD Durrës, vjen Hoti

Read Next

Vjollca Hoxha: Drejtimin do ta marrin trashëgimtarët