Vendi nën pushtetin e ujit dhe dëborës, qeveria, në verë bredh plazheve, në dimër bën raportime si “portal”

Pasoja nga reshjet e dendura të shiut dhe të dëborës kane sjellë një sërë problematikash që përsëriten çdo vit në të njëjtën stinë.

Shumë shtëpi e ndërtesa në Lushnje e Fier janë ‘nën pushtetin’ e baltës, e ndërsa dhjetëra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë. Banorët në qytetin e Fierit, konkretisht të Ferrasit dhe Levanit janë evakuuar pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur krejtësisht. Sipërfaqet e tokave bujqësore në rrethinat e Fierit janë ende nën ujë.

Në 48 orët e fundit Malësia e Krujës është mbuluar nga dëbora, e cila ka bllokuar rrugët, ndërsa mësohet se në lartësinë 1.700 metra trashësia e dëborës shkon mbi 40cm.

Për pasojë, në zonën e Qafë-Shtamës, prej dy ditësh nuk ka energji elektrike. Probleme ka pasur edhe në Korçë, ku si pasojë e temperaturave të ulëta në disa minus gradë janë krijuar edhe ngrica në rrugë. Sipas raportimeve të para, segmentet si Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, Ersekë-Leskovik, Pogradec-Qafë Thanë kanë nevojë për kriposje, ndërsa grupet e punës me mjetet e tyre ndodhen në terren në mënyrë që të krijojnë lehtësi për drejtuesit e mjeteve. Gjatë paradites në segmentin e Dardhës mjetet e vogla duhet të jenë të pajisura më zinxhirë.

Problemi me energjinë elektrike vijon të jetë prej afro 3 ditësh në fshatrat e Devollit, në disa fshatra të Moglicës dhe Gorës së bashkisë Maliq dhe disa fshatra, si në Velçan e Trebinjë të Pogradecit kurse në bashkinë e Pustecit energjia u rilidh sot. Moti i keq ka lënë pa drita edhe disa fshatra në Gjirokastër. Reshjet e dendura kanë zhvendosur shtyllën e tensionit të lartë dhe si rezultat linja 35Kv Gjirokastra 2-Grapsh ndodhet jashtë funksionit. Pa energji elektrike ndodhen banorët e zonave Zagori, Grapsh, Dropull i Poshtëm dhe Dropulli i Sipërm. Si rezultat i rritjes së nivelit të ujit, në Poçëm është stakuar linja 35kV Ballsh-Poçem për efekt sigurie.

Ndërkohë, situata në Elbasan është qetësuar. Mësohet se pas disa ditësh reshje të dendura, prurjet e lumenjve dhe të përrenjve janë ulur. Për momentin mësohet se akset rrugore janë të hapura dhe mund të kalohet pa problematika. Në aksin nacional Librazhd-Steblevë segmenti Librazhd-K/Borovës qarkullimi bëhet pa zinxhirë. Me zinxhirë kryhet qarkullimi në Borovë-Klenjë. Në njësinë administrative Orenjë, Lunik në Librazhd, në Prrenjas dhe në fshatin Benë në Labinot Mal janë dëmtuar kabinat elektrike duke lënë zona pa energji.

Situata në Qarkun e Shkodrës duket se është stabilizuar pas pushimit të reshjeve të shiut dhe dëborës që pushtuan këtë qark për disa ditë me radhë. Kështu, mësohet se në zonat malore, në akset ku kishte prezencë të ngricave është kryer pastrimi i tyre si dhe është hedhur kripë. Ndërkohë, niveli i ujit në lumin Drin dhe Buna janë ulur dhe nuk përbëjnë rrezik, por problem mbetet furnizimi me energji elektrike, ku ende zona e Lëpushës dhe Vermoshit janë pa drita dhe nuk dihet se kur mund të rikthehet rryma.

Edhe pse u inaugura me një show e simbolikë kombëtare (29 nëntor), Rruga e Arbrit, u bllokua nga reshjet e dëborës në zonën e Qafës së Murrizit. Për këtë arsye, për disa orë Policia Rrugore bllokoi qarkullimin e automjeteve, ndërsa me anë të një njoftimi të dytë, Policia tha se nuk do të lejonte qarkullimin e asnjë automjeti në këtë aks që nuk përdorin goma dimërore si dhe me zinxhirë.

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama ndodhet ditën e sotme në qytetin e Fierit, duke inspektuar zonat që janë prekur nga përmbytjet. Kreu i qeverisë ka zbritur në terren duke parë dëmet që janë shkaktuar nga uji, më saktësisht në zonën e Ferrasin dhe Cervenin.

Të gjitha këto problematika janë të përvitshme, dhe qeveria çdo vit bën të njëjtën gjë, në verë bredh plazheve, në dimër bën raportime si “portal”. ©kumtari.al

Read Previous

Këlliçi: Nuk ma bën syri tërr nga padia e porositur e Bardhit

Read Next

Lajm i Fundit! Sali Berisha dhe grupi i Rithemelimit hyjnë në zyrat e PD