Vaji i ullirit, kontrabandë drejt Italisë si droga/ Sekuestrohen 3 tonë në Brindisi

Autoritetet italiane në Brindisi kanë sekuestruar një ngarkesë të madhe vaj ulliri nga Shqipëria.

Produkti u gjet gjatë kontrollit të autobusëve të zbritur nga anijet që vinin nga vendi i Shqiponjave, raportojnë mediat italiane.

Vaji, i ruajtur në 110 depozita plastike të pasterilizuara për një total prej rreth 3 tonësh, transportohej me autobus të autorizuar vetëm për transportin e njerëzve dhe fshihej me mjeshtëri mes bagazheve të pasagjerëve.

Në vijim të hetimeve të rastit, zyrtarët dhe ushtarakët konstatuan se produkti nuk kishte asnjë certifikatë shëndetësore dhe nuk shoqërohej me asnjë dokument tregtar dhe/ose doganor. E konceptuar në këtë mënyrë, kjo praktikë jo vetëm që do të kishte bërë të mundur futjen në Itali të një produkti pa karakteristikat e përshtatshmërisë për konsum, por edhe shmangien e pagimit të taksave të caktuara me ligj, duke rezultuar në qendër të një tentativë kontrabande me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve doganore dhe TVSH-së për mallrat.

Ky rast, i raportuar në zyrën doganore kompetente të Brindisit, parashikon pagesën e një gjobe administrative të barabartë me dy deri në dhjetëfishin e shumës së detyrimeve kufitare të shmangura.

Në muajin e fundit, Agjencia e Akcizave, Doganave dhe Monopoleve dhe Guardia di Finanza kanë sekuestruar 9 tonë vaj ulliri nga Shqipëria, duke siguruar kështu rikuperimin e mbi 13 mijë eurove taksa të shmangura.

Read Previous

Afera e Portit të Durrësit/ Komisioni Europian anulon grantin 2 mln euro

Read Next

Mbreti Charles largon Princ Andrew nga Pallati Buckingham