ULIKSI NUK ËSHTË AI

Nga Aurel Plasari

Jo vetëm Uliksi nuk qenka ai. As Itaka nuk qenkësh Itaka, por është Qefalonia. As Homeri nuk qenkësh Homeri, por është një kolektiv rapsodësh ose, me më shumë gjasë, një grua. Ndërsa vetë vepra nuk qenkësh veçse një kolazh ndodhish dhe legjendash nga ato të marinarëve që qarkullojnë brigjeve detare, me Circe, me Ciklop e më the të thashë.

Me kësi përfundimesh e provokon lexuesin me librin e sapobotuar antropologu Giovanni Kezich, ish-drejtor i Muzeut të Dokeve e Zakoneve të Trentit. Dhe për to ka reaguar shtypi kulturor italian.

Thurja ndërdisiplinore e hulumtimit historik me atë filologjik dhe gjuhësor kanë dhënë si rezultat një produkt të tillë befasues, prej gati 400 faqesh, sigurisht joshës për të vërtetat e atij teksti që prej më se 2000 vjetësh ka magjepsur lexuesit e botës.

Vetëm të quajturit kthim të Uliksit në Itakë, që për autorin nuk ka ndodhur fare, i kushtohen rreth 100 faqe. Masakrimi i pretendentëve, për shembull, qenkësh kryer prej një killeri profesionist me pagëtyrë, që e ka zbarkuar natën në Itakë i biri i Uliksit dhe vetë Penelopa, e cila në libër rezulton me një moral – e pakta të thuash – të dyshimtë.

Autori shfaqet si një llogaritar i pamëshirshëm kur nuk i dalin llogaritë. Sa ishin fisnikët pretendentë? Ishin 100. Por si mund 4 burra (Uliksi, Telemaku, Eumeu dhe Fideci) të asgjësonin plot 100 luftëtarë të regjur kur kukura greke nuk mbante më shumë se 20 shigjeta? Sa vite kaloi Uliksi me Nausikën? Një vit. Por atëherë si mund të bënte me të plot katër fëmijë?

Dhe kështu me radhë. Pra u dashka lexuar.

/Marrë nga Facebook-u autorit./

/kumtari.al/

Read Previous

E sajon dhe e ‘zgjidh’ krizën brenda javës

Read Next

Totti: Futbolli i kohës sime ishte pasion