Trupat izraelite vrasin katër anëtarë të Hamasit në sulmet e Bregut Perëndimor

RAMALLAH, Bregu Perëndimor/TEL AVIV, 26 shtator

Trupat izraelite vranë të paktën katër militantë të Hamasit, gjatë një shkëmbimi zjarri të armatorus të dielën.

Përplasja me armë ndodhi në Bregun Perëndimor të okupuar, tha një zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Zyrtarët izraelitë prej kohësh kanë shprehur  shqetësimin se Hamasi, i cili udhëheq Rripin e Gazës, synon të fitojë pozita në Bregun Perëndimor dhe të sfidojë rivalin e tij atje, Autoritetin Palestinez (PA) të mbështetur nga Perëndimi, duke rritur rreziqet e sigurisë për Izraelin.

Incidentet në orët e para të së dielës shënuan konfrontimet më serioze midis Izraelit dhe Hamasit në Bregun Perëndimor në muajt e fundit dhe kërcënuan se do të rrisin tensionet në këtë territor si dhe përgjatë kufirit të Izraelit me Gazën.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas, partia e të cilit, al-Fatah, humbi kontrollin në Gaza nga Hamasi në luftimet e brendshme në 2007, në një deklaratë të tij akuzoi Izraelin  për “ekzekutime në terren kundër popullit tonë”.

Nga ana tjetër Hamasi u bëri thirrje palestinezëve në Bregun Perëndimor “të përshkallëzojnë rezistencën kundër okupatorit në të gjitha zonat” pas sulmeve.

Një zëdhënës i Hamasit tha se, të gjithë të vrarët ishin anëtarë të grupit, të cilin Izraeli dhe Perëndimi e konsiderojnë si një organizatë terroriste.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se trupat kryen pesë sulme në Bregun Perëndimor, “me qëllim që të ndalonin funksionimin e një celule të organizatës terroriste të Hamasit”, si dhe sulmet e mundshme.

“Tre terroristë të Hamasit u vranë në një shkëmbim zjarri në fshatin Biddu, në Juglindje të Ramallahut” në Bregun Perëndimor qëndror, tha zëdhënësi. “Gjatë përpjekjes për arrestimin e një të dyshuari të kërkuar në fshatin Burqin, u zhvillua një shkëmbim zjarri, nga i cili një terrorist mbeti i vrarë.”

Katër të tjerë u arrestuan, tha zëdhënësi.

Ministria palestineze e shëndetësisë tha se, katër palestinezë ishin vrarë në dy të shtëna në Bregun Perëndimor qëndror dhe verior.

Gjatë rrugës për në Nju Jork, ku ai i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të hënën, Kryeministri Izraelit, Naftali Bennett, tha se operacioni kishte për qëllim njerëz të Hamasit “gati për të kryer sulme terroriste”.

Ai tha se, “forcat izraelite ishin të angazhuara me armikun, dhe ne i mbështesim plotësisht ato”.

Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Gazën në një luftë të vitit 1967. Ajo tërhoqi trupat dhe kolonët nga Rripi i Gazës në 2005.

PA, e cila është e angazhuar për një shtet palestinez në Bregun Perëndimor dhe Gaza, ushtron një vetëqeverisje të kufizuar në këtë  territori bazuar në një marrëveshje të përkohshme paqeje me Izraelin.

/kumtari.al/Ali Sawafta dhe Rami Ayyub-reuters/

Read Previous

Kosovë, Kurti takon krerët e partive opozitare

Read Next

Situata në veri/Reagon Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel