Tregim fundnëntori…

Nga Edvin Kuçi

Sapo ka zbardhur, gjendem brenda parkut të liqenit.

Ajri i pastër ma lehtëson peshën e trupit.

Eci serbes e më vjen këndshëm aroma e bimësisë, e përzime me një instrumentale, nga një lokal aty pranë.

Jerm nga ngjyrat e qiellit, liqenit, gjetheve, gjallëroj me hap të shpejtë, me kureshtje të teprueme ndaj njerëzve, që ushtrohen vajtje – ardhje.

Të veshur sportiv, larg teknologjisë, ata derdhen mëngjeseve për t’u çmpirë pak nga pesha e betonit, që rëndon prej kohësh, si jorgan i trashë mbi trupin e qytetit.

Lëviz përpara dhe ndihem i ajrosur, gati për të filluar disa ushtrime të thjeshta për krahët e këmbët.

Të duhen 10-15 minuta nxemje, e më pas e ndjen se më në fund je brenda simfonisë së kësaj natyre ku mund të luash pandërprerë për 35 -40 minuta.

Nën ritmin e vrapit, dihatjes dhe djersës, që të mbulon ngadalë.

Jam si në një ëndër të bukur mëngjesi, që do ta zgjasësh edhe pak e nuk do t’i hapësh sytë edhe kur e ndien zgjimin… Derisa rrugën ma prenë ato të dyja, me biseda të zhurmshme.

Ëndrra mbaroi, aq e pat, tani më duheh t’i hapja sytë mirë.

Vajzat qëndronin në mes të rrugës të shkujdesura me atë dreq celular.

E vërtisnin nëpër duar “armën e ftohtë”  sikur ftonin në duel  kërcënueshem gjelbërimin përreth.

Po afrohesha, por ato nuk kishin ndërmend të leviznin, ngjitur njëra-tjetrës me sytë nga telefoni.

-Hë mi, e gjete?!

-Prit praaaa … -mërzitej tjetra.

Ajo më e dobta levizte gishtat me shpejtësi në celular, tjetra kërcente majë gishtave nga padurimi.

I mbeta besnik pamjes,  pa dëshiru me ndërru kanal .. Kur ja zëri u lëshua dhe e ngrit në ajër një motiv made in  “Shqipnia mesme”

Vajza buçko u thy n’mes.

Ah ? … aty maje, ta luj njëçik shpatllën, se vdiqa. Ia dhanë gazit të dyja

Tallavaja mori dhenë. Melodia ime u prish pa filluar. U përmbajta, nuk e shfaqa zemërimin, e kotë ajo dha efekt të kundërt, mu desh edhe një përpjekje e fundit me fsheh buzëqeshjen andej nga cepi buzës.

I lashë pas shpine,  tani po shkriheshim të tre me lot…

Read Previous

‘Agjinia’ tashmë ka dhe përfaqësuesen e saj me fjalë!

Read Next

Ndryshon rregullorja e vizave për Gjermani