Trazirat e Kapitolit: Gjykatësi refuzon kërkesën e Trump për të mbajtur të dhënat

Një gjykatës amerikan ka vendosur që një komitet i Kongresit që heton trazirat e Kapitolit  të ketë akses në disa nga të dhënat e Shtëpisë së Bardhë të ish-Presidentit Donald Trump.

Trump kishte kërkuar të përdorte privilegjin ekzekutiv, sipas të cilit dokumentet presidenciale mund të mbahen sekret.

Hetimi po përpiqet të zbulojë nëse Trump kishte njohuri paraprake për trazirat, raporton BBC.

Mbështetësit e Trump sulmuan ndërtesën e Kapitolit më 6 janar, ndërsa Kongresi po vërtetonte fitoren zgjedhore të Presidentit Joe Biden.

Trump ka refuzuar të pranojë humbjen e zgjedhjeve vitin e kaluar, duke pretenduar – pa prova – se ato ishin manipuluar.

Hetimi po kryhet nga një komitet i ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve, i cili dominohet nga demokratët e Presidentit Biden.

Paneli dëshiron të shohë të dhënat telefonike, regjistrat e vizitorëve dhe dokumente të tjera të Shtëpisë së Bardhë që mund të hedhin dritë mbi ngjarjet që çuan në sulmin ndaj Kongresit.

Komiteti ka lëshuar thirrje për disa ndihmës të Trump për të dëshmuar para ligjvënësve.

Trump  kishte argumentuar se komunikimet e tij në Shtëpinë e Bardhë ishin të mbrojtura dhe si të tilla nuk duhet të publikoheshin.

Por gjykatësja e qarkut të SHBA, Tanya Chutkan vendosi që Arkivi Kombëtar, agjencia federale që mban të dhënat, duhet të përmbushë kërkesën e panelit.

kumtari.al

Read Previous

Kosto e Unazës së Re arrin në 290 mln euro

Read Next

GJL; Ka shkelje procedurale gjatë gjykimit të Tahirit