Tragjedia hekurudhore/ Athina bllokohet nga protestuesit

Mijëra punëtorë në Greqi janë sot në grevë për të protestuar pas aksidentit tragjik të trenit ku humbën jetën 57 persona, ndërsa rreth mesditës pritet të kulmojnë demonstratat masive para parlamentit në Athinë.

Sindikatat mblodhën qindra mijëra punonjës të sektorit publik duke bërë thirrje për greva dhe protesta ndërsa dhe një numër studentësh dhe grupesh mësuesish kanë lajmëruar se do t’i bashkohen tubimeve.

Transporti publik është pezulluar sot në të gjithë vendin për shkak të grevës së organizuar nga Sindikata e Nëpunësve Publikë të Greqisë, raporton Kathimerini.

Sindikatat e punonjësve të transportit publik kanë ftuar punonjësit të marrin pjesë në një tubim në orën 13:00 në sheshin Sintagma në Athinë dhe të “kërkojnë transport publik të sigurt dhe modern dhe marrjen e masave për sigurinë e punëtorëve dhe pasagjerëve”.

Sot në port do të qëndrojnë edhe anijet dhe tragetet pasi në grevë ka vendosur t’i bashkohet edhe sindikata e marinarëve, Federata Panhelene Detare.

Kujtojmë se një tren pasagjerësh me 350 pasagjerë u përplas në afërsi të Larisës me një tren mallrash që udhëtonte në të njëjtën linjë në drejtim të kundërt.

Aksidenti i 28 shkurtit shkaktoi zemërim publik për gjendjen katastrofike të rrjetit hekurudhor të Greqisë.

Read Previous

Von der Leyen: BE nuk do të lejojë Rusinë të kërcënojë sigurinë e saj

Read Next

TEC-et që bekoi Yuri Kim nuk punojnë, shqiptarët paguajnë 90 mijë euro në ditë për ta