Top Channel ndryshon urgjent artikullin për sulmin kibernetik, pas reagimit të KM

Edi Rama ka shënjestruar televizionin “Top Channel”, duke konsideruar si shpifje një lajm të tyre, ku thuhej se hakerat që kanë sulmuar sistemet kompjuterike të shtetit shqiptar, kërkojnë 30 milionë dollarë.

Kreu i qeverisë ka qenë shumë i ashpër pas këtij lajmi, duke kërkuar që ky televizion të ndalë menjëherë shpifjet dhe përhapjen e panikut.

Lajmet për një gjobë 30 milionë dollarë në bitcoin, nga hakerat apo për shkatërrimin e të dhënave janë krejt të rreme! Qeveria ka informuar aq sa mund të informojë, në ndërkohë që lufta nuk ka mbaruar dhe pas hakerave qëndron një shtet tjetër, jo një bandë dosido digjitale që merret me gjoba!

Gjyqet me median për shpifje, përfshirë edhe shpifjet që përhapin panik, nuk janë në praktikën e qeverisë sonë! Prandaj i bëj thirrje publike TCH të ndalë menjëherë valën e shpifjeve dhe përhapjen e panikut lidhur me pasojat e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë”, shkruan Rama.

Top Channel ka zhdukur me urgjencë shkrimin duke e zëvendësuar me një tjetër shkrim, ku ngrihen aludime se pas sulmit mund të qëndrojë Irani.

Në shkrimin origjinal të Top Channel, pretendohej se jo vetëm janë kërkuar 30 milionë dollarë, por “janë publikuar disa numra telefoni shqiptarë,  të krerëve të shtetit shqiptar dhe familjarëve të tyre”.

Sipas Ramës, “AKSHI dhe një skuadër e superspecializuar ekspertësh të huaj ,po luftojnë natë e ditë për rimëkëmbjen e plotë në kohë rekord të sistemeve pas zmbrapsjes së sulmit. Është e turpshme që të gënjehet publiku në këtë farë feje, cilatdo qofshin motivet e kësaj vale shpifjesh haluçinante“.

Read Previous

Nuk justifikon pasurinë/ Prokurori i Vlorës: Fitova 79 mijë euro në baste

Read Next

Sulmi në e-Albania, Rama: Dyshojmë te dy shtete, u përfshi edhe NATO