Tërmetet në Shqipëri, sizmologu: S’ka vend për panik nga lëkundjet e djeshme

Dy lëkundje tërmeti u ndejnë në vend pasditen e djeshme.

Më i fuqishëm ishte ai me magnitudë 4.1 në Shezë të Elbasanit. Lëkundjet trembën banorët, shumë prej të cilëve lanë banesat pas tërmetit. I dyti me magnitudë 3.1 kishte epiqendër Gjirin e Karaburunit, 10 km nga Vlora.

Sizmologu Damiano Koxhaj u shpreh se nga tërmete të tilla nuk ka vend për panik, pasi siç tha ai, ato ndihen, por janë të padëmshme.

“Historikisht ka pasur goditje apo para goditje tërmeti në shkallë të tilla. Është një zonë e njohur tektonike. Tërmetet e djeshme në nivel të atillë ndihen por nuk shkaktojnë dëme. Gjatë vitit 2022 ka pasur dy ngjarje të tilla në afërsi të Fushë-Arrëzit në distancë kohore në 3 muaj. Dhe kjo është një ngjarje e ngjashme me të këtij viti, ku fillimisht kemi pasur tërmetin e Klosin dy muaj më parë dhe dje kishim lëkundje të tilla. Sa i përket zonave me aktivitet sizmik në Shqipëri, është zona jugore, e cila është e ndikuar edhe nga aktiviteti sizmik në Greqi, në pjesën veriperëndimore të saj, ku është dhe pika e kontaktit tjetër të pllakave. Në vitin 2021 ka pasur disa tërmete me magnitudë mbi 5 në vendin tonë, kështu që janë fenomene të njohura edhe për ne. Tërmeti në Turqi erdhi nga sforcimi i madh në zonë, dhe lëvizja e pllakave ka qenë shumë e madhe, por nuk mund të thuhet se ngjarja e Greqisë ka ndikuar në pllakat e Turqisë”, u shpreh sizmologu Damiano Koxhaj për “Ora News”.

Read Previous

Shqipëria hapa pas në objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, 44% në rrezik për të qenë të varfër

Read Next

Takimi i Brukselit përfundoi me/pa sukses?!