TEC-et që bekoi Yuri Kim nuk punojnë, shqiptarët paguajnë 90 mijë euro në ditë për ta

Vitin që shkoi, dimri u prit me ankth kudo në Bashkimin Europian. Sa më shumë uleshin temperaturat, aq më të shtrenjta bëheshin faturat e energjisë, për shkak të ndërprerjes së furnizimit me gaz nga Rusia. Por në Shqipëri, ankthi qe i dyfishtë. Kryeministri Edi Rama kishte folur për krizën në energji shumë kohë para se të niste lufta në Ukrainë. Me moton “nga lufta vijmë, në luftë shkojmë” kriza e energjisë, sipas tij, do të ishte goditja e radhës pas pandemisë dhe tërmetit.

Prandaj lajmi për kontraktimin e dy TEC-eve lundruese që u ankoruan në Vlorë erdhi natyrshëm. “Tigri 1” dhe “Tigri 2” u sollën nga kompania amerikane Excelerate Energy.

Kur shkoi t’i shihte nga afër termocentralet, ambasadorja Yuri Kim i dha një ngjyrim politik marrëveshjes së biznesit, si të ishte një kujdes mes aleatësh dhe jo një marrëveshje me qëllim fitimin e parave.

“Ne duhet të sigurohemi që aleatë amerikanë në NATO, partnerë apo miq si Shqipëria të mund të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë, që të jenë më të sigurta, më të begata e më të pavarura”, u shpreh ambasadorja Kim.

Në të njëjtën linjë foli edhe Belinda Balluku, që shkoi më larg se Juri Kim dhe tha se kompanitë amerikane ishin aq të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë, sa ishin gati edhe të humbnin para.

“Ata kanë filluar ta ndjejnë Shqippërinë si vendin e tyre, dhe duke humbur para, se mund t’i çonin këto anije në Gjermani, por e kanë marrë personale ndihmën ndaj Shqipërisë” ishin fjalët e Ballukut, që shoqëronte ambasadoren në Vlorë.

Pagesa e majme dhe mosfunksionimi i TEC-eve

Kontrata parashikonte një pagesë prej 68 milion eurosh nga qeveria shqiptare vetëm për qiranë. E përpjestuar, shuma llogaritet të jetë rreth 90 mijë euro qera në një ditë.

Por dimri iku. Dy termocentralet nuk kanë prodhuar asnjë ditë energji, megjithëse çdo ditë e qëndrimit të tyre në Vlorë paguhet mbi 90 mijë euro.

Sipas një hulumtimi të gazetares Esmeralda Topi do të duhet ende shumë kohë që “Tigri 1” dhe “Tigri 3” të ndizen.

Arsyet burokratike që TEC-et nuk funksionojnë sipas shkrimit të botuar në Faktoje.al janë disa.

1) Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ende nuk e ka marrë licensën e prodhimit nga Enti Rregullator i Energjisë.

2) KESH-it i mungon edhe sasia e lëndës së parë djegëse që i nevojitet termocentraleve për t’u vënë në punë.

3) Termocentralet as nuk janë testuar ndonjëherë që nga Shtatori i vitit të kaluar.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme është fakti se tashmë energjia në bursa është më e lirë dhe termocentralet nuk kanë leverdi të vihen në funksionim. E njëjta sasi energjie që do të prodhonin TEC-et lundruese është më pak e kushtueshme nëse blihet.

Mbetet mister fakti se përse TEC-et nuk u vunë në funksion që në momentin e parë që mbërritën në Shqipëri, megjithëse paratë për to vazhdojnë të paguhen.

Akuzat për kontratën 68 milion euro

Kur TEC-et mbërritën në Shqipëri ishin të shumtë ata që vunë në pikëpyetje rendimentin e tyre. Në një shpjegim që dha për to, kryeministri Rama siguroi se termocentralet nuk erdhën si teneqe të vjetra, por për të shtuar fuqinë energjitike të vendit.

Megjithatë Rama përmendi faktin se TEC-et ishin sjellë në Shqipëri edhe si pasojë e levizjeve diplomatike të nivelit të lartë.

“Ato nuk kanë ardhur këtu si rrënoja, por kanë ardhur këtu si rezultat i një pune të jashtëzakonshme diplomatike deri në nivelet më të larta” është shprehur kryeministri.

Paratë që paguan shteti shqiptar do t’i kalojnë 45 milionë dollarë kompanisë amerikane Excelerate Energy për qiranë dyvjeçare dhe 22.5 milionë dollarë firma Renco për ofrimin e shërbimit të operimit.

Sipas kreut të PD-së, Sali Berisha logjika e biznesit në rastin e termocentraleve që nuk janë ndezur asnjë ditë, ka humbur për shkak se Rama dhe Kim janë të përfshirë në një aferë korrupsioni.

“Amerikanët kanë pasur ambasadorë të shkëlqyer në këtë vend, duke filluar nga ambasadori i parë, e me radhë. Por kanë pasur edhe një lloj si kjo e cila është e zhytur fund e krye në korrupsion. Çfarë e shtyn atë të shkojë e të mbulojë aferën korruptive të Belinda Ballukut tek ato anijet fantazmë, që na gjobisin çdo ditë 90 mijë euro? Por në vend po të ishte për transparencë u thoshte ikni aty”, ka deklaruar Berisha.

Read Previous

Tragjedia hekurudhore/ Athina bllokohet nga protestuesit

Read Next

Zbardhet takimi i Yuri Kim me Gjiknurin, Alibeajn dhe Metën