Të shpëtojmë bujqësinë

Jo gjithnjë të jesh i madh do të thotë se ke avantazh. Shembulli më i mirë në vend është bujqësia. Sipas Eurostat, pesha e bujqësisë në vlerën e shtuar bruto të ekonomisë në vend, në vitin 2020, ishte 21.8%, shumë më e lartë se Maqedonia e Veriut (e dyta pas nesh) dhe mesatarja e Bashkimit Europian prej 1.6%.

Në kontrast, mbështetja e buxhetit për bujqësinë është shumë e ulët (të dhënat e OECD-së në vitin 2018 tregojnë se mbështetja për hektarë në Shqipëri është 30 euro, kundrejt 200 euro në Maqedoninë e Veriut, 100 euro në Serbi, 180 euro në Kosovë dhe 400 euro në Bashkimin Europian).

Por, sektori, që zë me punë rreth 40% të të punësuarve në vend, është në ditë të vështira. Nga një vëzhgim i “Monitor” në terren, pesimizmi mbizotëron në të gjithë hallkat e zinxhirit bujqësor. Tregtuesit e lëndëve të para, si plastmasë, apo fidanë, pohojnë për një rënie të ndjeshme të shitjeve, si rrjedhojë e tkurrjes së investimeve, teksa borxhet që u kanë fermerët, kanë arritur në nivele të paqëndrueshme. Fermerët, që dikur u kthyen nga emigracioni dhe investuan paratë dhe njohuritë në ndërtimin e serave, tashmë si për ironi po ikin sërish në emigracion, pasi investimet po iu rezultojnë të dështuara.

Grumbulluesit e mëdhenj pohojnë se, produktet e nisura për eksport në janar të këtij viti ranë me 15-20%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 dhe jo për mungesë të kërkesës nga jashtë, por për shkak se është tkurrur prodhimi. I njëjti pesimizëm mbizotëron edhe në blegtori, teksa përpunuesit e qumështit kanë më leverdi të importojnë lëndën e parë nga jashtë.

Bujqësia gjithnjë ka qenë problematike në vend, si rrjedhojë e copëzimit të tokave, mungesës së ekonomisë së shkallës, informalitetit, problemeve me standardizimin dhe cilësinë e produkteve, përdorimin pa kriter të plehrave kimike dhe mospasjes së politikave të qëndrueshme zhvilluese.

Megjithatë, fermerët gjetën hapësira për të investuar, duke shfrytëzuar ato pak avantazhe që kemi, ku më kryesori është klima, që mundëson daljen në treg dy apo tre muaj më herët sesa fqinjët. Nga viti 2010 deri në vitin 2021, eksportet e zarzavateve u shumëfishuan, investime të shumta u bënë në përpunimin e tyre, si dhe prodhimet e produkteve të bulmetit u rritën.

Të gjitha këto investime, tashmë po rrezikohen. Një faktor është rritja e çmimeve të lëndëve të para që importohen. Faktori i dytë është i brendshëm dhe lidhet me ndryshimet fiskale, që hynë në fuqi këtë vit, të cilat erdhën në momentin më të pafavorshëm: vendosja e TVSH-së prej 10% për inputet bujqësore dhe heqja e skemës së kompensimit prej 6% të TVSH-së (që deri në 2019-n kishte qenë 20%).

Fermerët paralajmërojnë se rreth 30% e serave (që zënë një peshë të rëndësishme në bujqësi) rrezikojnë të falimentojnë. Heqja e rimbursimit të TVSH-së ka dëmtuar fermerin dhe ka rritur informalitetin, pasi tashmë, ata nuk kanë interes të deklarojnë.

Tregu është në amulli (shiko specialen në faqen e brendshme të revistës) dhe ekspertët e sektorit kanë shpresa se situata mund të përmirësohet vetëm nëse bëhen disa ndërhyrje si më poshtë:

– Të krijohet bursa e produkteve bujqësore, që do të bënte transparente çmimet e produkteve në vend, por edhe rajon.

– Të bëhet orientimi i prodhimit për t’u përshtatur me nevojat e tregut, që do të shmangte mbiprodhimin dhe hedhjen në kanal të produkteve

– Të rivendoset shërbimi i agronomisë, që do të garantonte cilësinë dhe do të nxirrte përgjegjësit, në rast se ka prodhime jashtë standardi

– Të bëhet subvencioni për njësi prodhimi, që përveçse do të ndihmonte direkt prodhuesit, do të ndikonte në formalizimin e sektorit.

-Të nxitet industria përpunuese, për t’i rritur vlerën e shtuar sektorit dhe të kanalizonte në përpunim prodhimet që nuk arrijnë të shiten. Një pjesë e programeve të IPARD (Instrumenti i Asistencës së Para – Aderimit) të shkojë për industrinë përpunuese.

Bujqësia kërkon vëmendje reale dhe jo thjesht sa për shfaqje, si në rastin e prezantimit të skemave të garancisë, apo entuziazmit për të mirat e “Open Balkan”. Nëse sektori nuk arrin të bëhet konkurrues, Shqipëria, me peshën më të madhe në Europë në bujqësi, paradoksalisht rrezikon të kthehet në një importuese të madhe, ndërsa qytetarët do ta paguajnë me çmime më të shtrenjta./monitor

©kumtari.al

Read Previous

Tensionet në Ukrainë mund të tronditin tregjet në javën e ardhshme

Read Next

Zgjedhjet lokale/ Berisha prezanton sot kandidatin e Shkodrës, Bardh Spahia